• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 7 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

7 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • Drejtësi
  • Kronikë
  • Media
  • Reportazh
Mori shtetësinë shqiptare pas 25 vitesh/ Kur Janullatosi quhej Kryepeshkop i paligjshëm
Home
Sociale

Mori shtetësinë shqiptare pas 25 vitesh/ Kur Janullatosi quhej Kryepeshkop i paligjshëm

24 December, 2017 F.autor Aktualitet, Breaking News, Sociale

Për të kuptuar rolin ekryepeshkopit Anastas Janullatosit  në këta 23 vjet, duhet të ndalemi te fakti domethënës sesi Janullatosi u vendos në krye të Kishës Shqiptare. Pikërisht, për këtë fakt të panjohur mirë, do të flas unë dëshmitari i kësaj ngjarjeje të paprecedentë në historinë e Kishës, jo vetëm shqiptare. Unë jam ortodoks, e theksoj këtë gjë, për të hequr çdo dyshim, por edhe përgojim të vetë Janullatosit për ndonjë shqiptar atdhetar mysliman, që ka shkruar apo folur me të drejtë për problemet e Kishës Autoqefale, por është akuzuar nga ai për “myslimanizëm”. Theksoj se Kisha Autoqefale Shqiptare, pjesë e rëndësishme e Pavarësisë së Shqipërisë, ka qenë dhe mbetët një vepër e pasuri kombëtare e të gjithë shqiptarëve, siç shprehet edhe Fan S.Noli.
Më 1 gusht të vitit 1992, nuk shkova në redaksinë e gazetës “Liria”, ku punoja si redaktor, se isha me temperaturë. Në mbrëmje, ra zilja e telefonit dhe folësi, një besimtar i mirë ortodoks, më tha: “Nesër është mirë të jesh në Kishën Ortodokse, se do të kurorëzohet Anastas Janullatosi në krye të saj”. E pyeta: “Çfarë do të kurorëzohet, eksark apo kryepeshkop”. M’u përgjigj: “Nuk e di mirë, por nga sa kuptohet, kryepeshkop”. Do të vij patjetër, i thashë. Fjeta copa-copa atë natë, se më kujtoheshin mjaft gjëra të sëkëlldisura…

Anastas Janullatos
Në vitin 1990, nën trysninë e shtuar të Lëvizjes Demokratike, Ramiz Alia, për të garantuar ekzistencën e vet dhe të shtetit komunist, u deklarua pro disa reformave demokratike, përfshirë edhe ato të kulteve fetare, që u dha mundësinë rihapjes së objekteve të kultit, të cilat i kishte mbyllur forcërisht qysh në vitin 1967 dhe i kishte pushkatuar e burgosur klerikët e shquar të të tri besimeve. Kështu, u ngrit me intelektualë ortodoksë Këshilli apo Komiteti i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, me në krye Petro Bidoshin, që do të drejtonte gjithë veprimtaritë për ringritjen e Kishës Autoqefale Shqiptare e të hierarkisë së saj. Ndërkohë, Patriku Eumenik dhe Sinodi i Patrikanës së Stambollit, me shpejtësi të mahnitshme, në janar të vitit 1991, caktuan peshkopin Anastas Janullatosin, profesorin e Universitetit të Athinës, episkopin e Andrusës dhe drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, si eksark patriarkal(të përkohshëm) në Shqipëri, deri sa të përgatiteshin kushtet për zgjedhjet e hierarkisë së Kishës. Më pas, Qeveria e Stabilitetit e njohu si eksark (1991) dhe peshkopi Janullatos arriti në Tiranë në korrik të vitit 1992. Veprimi i parë i tij ishte krijimi i një strukture tjetër kishtare me elementë progrekë dhe pro Janullatosit, siç ishte edhe Aleko Dhima e të tjerë, duke anashkaluar kështu këshillin e mëparshëm shqiptar me në krye Perto Bidoshin dhe nisi punën për uzurpimin e kreut më të lartë të Kishës Ortodokse. Kreu i komitetit, Bidoshi dhe intelektualët e tjerë ortodoksë i kundërshtuan qëllimet dhe veprimet e Janullatosit dhe shpurës së tij të ardhur nga Greqia. Por, veprimi i nëndheshëm dhe manipulimi i fshehtë vazhduan deri në datën 1 gusht 1992. Të nesërmen, më 2 gusht, do të kurorëzohej Janullatosi, jo si eksark (i përkohshëm), por si kryepeshkop, duke shkelur gjithë legjislacionin kishtar (statusin e vitit 1929), por edhe praktikat kishtare që kryepeshkopi zgjidhej nga Sinodi i Shenjtë i Kishës. Për kundërvënien e besimtarëve ortodoksë shqiptarë ndaj veprimeve mafioze të Janullatosit dëshmon 1-2 gushti i vitit 1992. Një grup ortodoksësh nga Tirana, Korça dhe Elbasani, midis tyre edhe kryetari i Komitetit të Kishës Autoqefale Petro Bidoshi, si edhe unë, më datën 1 gusht i kërkuam kryetarit e Komisionit Parlamentar të Kulturës, zotit Uran Butka, një takim në Parlament dhe ky na priti, duke na mbështetur në përpjekjet për mbrojtjen e Kishës Autoqefale Shqiptare. Ai na tha ne përfaqësuesve të besimtarëve ortodoksë se kultet fetare janë pjesë e kulturës shqiptare dhe është detyrë e shtetit t’i mbrojë ato. Kisha Autoqefale e Shqipërisë është një aset i çmuar kombëtar i ngritur mbi sakrificat e gjakun e shumë martirëve si Papa Kristo Negovani, At Stath Melani, Petro Nini Luarasi, etj. si edhe me përpjekjen e korifenjve Fan S.Noli, Kristo Kirka, Vasil Marko, Kristofor Kisi, Visarion Xhuvani e të tjerë. Ajo është vepër e përbashkët e ortodoksëve e myslimanëve, vepër madhore, siç e ka quajtur Faik Konica, që kontribuoi në pavarësinë e Shqipërisë, ndaj nuk duhet lejuar nga vetë besimtarët ortodoksë që të uzurpohet nga një peshkop grek, që nuk ka as gjuhë e as gjak shqiptari, siç e përcakton edhe statusi i Kishës Autoqefale, e njohur edhe nga Patrikana e Stambollit edhe nga shteti shqiptar. Pra është detyra e shtetit të mbrojë Kishën Autoqefale dhe gjithë institucionet e tjera fetare. Këto na tha z. Uran Butka dhe premtoi se si deputet, pra si përfaqësues në Parlament i elektoratit atdhetar ortodoks dhe mysliman të Kolonjës, do të ishte në krahun tonë.
* * *
Pas kësaj ngjarjeje, unë shkova në redaksinë e gazetës “Liria” dhe shkrova një kronikë, ndërsa natën e datës 1 gusht, ora 00:00, z.Butka, bashkë me pjesëtarë të Këshillit të Kishës Ortodokse dhe disa intelektualë ortodoksë, mori takim me Presidentin e Republikës. E njoftuan për përpjekjen që bëhej për shugurimin e Janullatosit si kryepeshkop dhe pasojat e rënda që mund të rridhnin më vonë. Butka i tha se kjo ishte një përpjekje e qarqeve shoviniste greke antishqiptare për të ngulur Janullatosin në Shqipëri për synime politike e fetare greke. Presidenti Berisha u tha në takim se Janullatosi ishte pranuar si eksark, domethënë me detyrë të përkohshme, dhe në këtë mënyrë ky nuk do të kishte mundësinë e emërimit të sinodit të peshkopëve, që zgjidhte kryepeshkopin. Sa të përgatisim kuadrot kishtare shqiptare, që tashmë mungonin. Më datën 2 gusht 1992, në mbrëmje, ndonëse i sëmurë, por mjaft i merakosur, shkova në Kishën Ortodokse, ku do të organizohej ceremonia e kurorëzimit të Janullatosit. Pa hyrë ende brenda portës së madhe të kishës, dëgjova thirrjet në kor: “Anaksos, anaksos, anaksos!”(Jo, jo, jo!) Hyra brenda në kishë dhe u bashkova me grupin e besimtarëve ortodoksë, pranë të cilëve ndodhej edhe deputeti Uran Butka. Në mes të ikonostatit, qëndronte Hirësia e Tij, Ptolemeu II, kreu i Patrikanës së Stambollit dhe në krah të tij, peshkopi Janullatos. Rreth tyre një tufë klerikësh të ardhur nga Greqia. Salla ishte e mbushur plot e përplot me besimtarë ortodoksë. Kishin ardhur edhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri dhe personalitete të huaja. Një grup grash e vajzash ortodokse i kishin thënë “Jo” pyetjes së hirësisë së tij, Ptolemeut, kur kishte nisur shugurimin: “A e pranoni hirësinë e tij, Janullatos, si kryepeshkop të Shqipërisë?”. Sipas kanunores ortodokse, edhe sikur një zë të thotë “Jo”, nuk pranohej shugurimi. Mirëpo, Hirësia e Tij, Ptolemeu, i vendosur në misionin e tij, e përsëriti edhe një herë pyetjen: “E pranoni Hirësinë e Tij, Janullatosin, si kryepeshkop të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë?”. Atëherë grupi i grave sërish thirri: “Anaksos!”. E dija se “anaksos” donte të thoshte “votë kundra”. Saktësisht: “I padenjë”. Zgjedhja kërkonte votim tërësor, 100 për qind me unanimitet. Sipas rregullit kishtar, nuk duhet ta pranonte detyrën as vetë Janullatosi. Por edhe ai ishte i vendosur në misionin e tij. E paimagjinueshmja ishte kur Ptolemeu II e përsëriti për herë të tretë pyetjen, e cila mori si përgjigje edhe “Jo” edhe “Po” nga të pranishmit. U bë një katrahurë. Një prift i ri me mikrofon kërkoi që të vendosej qetësia: “Ju lutemi, qetësi! Qetësi, ju lutemi! Jemi në shtëpinë e Zotit”. Atëherë Hirësia e Tij, Ptolemeu II, filloi ritin e shugurimit, por në atë çast shpërthyen këngët: “Për Mëmëdhenë”. “Ejani këtu, këtu, këtu!” Pastaj: “Noli! Noli! Noli!” “Rroftë Kisha Autoqefale!” “Jashtë Janullatosi nga Shqipëria!” e të tjera. Sa merrte Ptolemeu të fliste, rifillonin protestat e besimtarëve dhe këngët patriotike. Mbi pupitër, në një jastëk mëndafshi, ndriçonte një kurorë. Ishte parashikuar edhe epilogu triumfal! Por hesapet, – themi ne shqiptarët, – ishin bërë pa hanxhiun! Kështu që Hirësia e Tij, Ptolemeu II, i cili nuk mund të vazhdonte më, e ndërpreu shugurimin dhe ceremoninë përkatëse.
Ai, Janullatosi dhe disa priftërinj grekë dolën nga dera e ajodhimës dhe u zhvendosën në hollet e hotel “Tirana”. Kaloi njëfarë kohe hutimi dhe u ndjenë lëvizje e kërcitje dyersh të ajodhimës. U panë veladonë të zinj në lëvizje, por jo nga porta e madhe e kishës. Ata të radhëve të para ndjenë lëvizjet gjer në derën e pasme të ajodhimës. Pastaj zëri përçoi zërin dhe u dëgjua në të gjithë sallën e kishës: – Po ikin! Po ikin! Në oborrin e madh u prish heshtja nga uturimat e veturave që dolën në Rrugën e Kavajës. Sytë u drejtuan te jastëku mbi të cilin ishte vendosur kurora. Ajo nuk ishte aty! Kisha u zbraz për punë sekondash nga besimtarët. Ata donin të dinin ku po shkonin, ku do të vinin, me kurorën që e mbante me kujdes dhjaku i ri, si një gjë që mund të thyhej! Dëgjoheshin pëshpëritjet: Te hotel “Tirana”. Te Pesëmbëdhjetëkatëshi! Kurorëzimi do të bëhet në hotel “Tirana”. Atje Janullatosi u shpall kryepeshkop në mënyrë të paligjshme dhe jashtë kanonike, sepse edhe ceremonia u bë jashtë kishës, në ambiente publike.
* * *
Të gjitha këto veprime skandaloze, së pari, binin ndesh në mënyrë flagrante me nenin 16 të statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, për cilësitë e kryepeshkopit, të peshkopëve dhe zëvendësve të tyre lokalë, për sekretarin e Përgjithshëm të Sinodit: të jenë prej gjaku shqiptar, nënshtetësie shqiptare, kombësie shqiptare dhe prej gjuhe shqiptare. Së dyti, shkelte në mënyrë flagrante statusin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, të miratuar edhe nga Patrikana edhe nga Mbretnia Shqiptare. Dy antagonistë të mëdhenj Noli dhe Zogu, u bënë solidarë për autoqefalinë. Dhe nuk është e rastit që Kryeministri i Zogut, Koço Kota, e uroi Fan Nolin për realizimin përfundimtar të autoqefalisë, në vitin 1929. Së treti, u proklamua si eksark, u pranua si eksark dhe u kurorëzua tinëzisht si kryepeshkop. Më vonë zgjodhi edhe sinodin e shenjtë me tre peshkopë, dy nga të cilët ishin grekë. Së katërti, gjatë ceremonisë së shugurimit Janullatosi nuk u pranua nga një pjesë e mirë e besimtarëve ortodoksë, që i thanë “Anaksos!” atij që kishte shkelur në mënyrë arbitrare kanunoren e Kishës Ortodokse. Thënia e Janullatosit se kundërveprimin e bënë myslimanët, nuk i përgjigjet së vërtetës.
Ngjarja e 2 gushtit të vitit 1992 ishte një njollë turpi për atë pamje dramatike dhe groteske që mori ai lloj “kurorëzimi”, por për këtë ngjarje u hesht, jo pa qëllim. Mjetet shqiptare të informimit nuk e dhanë fare, unë nga ana ime dhashë një intervistë në gazetën “Republika”, ndërsa televizionet greke transmetuan gjerësisht pamje nga shugurimi i Janullatosit si kryepeshkop i Shqipërisë. Kjo është e vërteta sesi e uzurpoi Janullatosi kreun e Kishës Autoqefale Shqiptare.
KOSTAQ XOXA

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Nadal 'befason' botën e tenisit, nuk merr pjesë në turneun e Abu Dhabit
Previous article Në shtëpinë e Arbana Osmanit... Moderatorja ndan momentet e ngrohta familjare

F.autor

Postime të ngjashme

Zbulohet plani sekret “Shqipëria” që kishte BE në 2015-ën për nxjerrjen e Greqisë nga Eurozona Aktualitet

Zbulohet plani sekret “Shqipëria” që kishte BE në 2015-ën për nxjerrjen e Greqisë nga Eurozona

E PËSON KEQ/ Shiste drogë në ambientet e një pike lojërash elektronike, arrestohet 20-vjeçari në Durrës Aktualitet

E PËSON KEQ/ Shiste drogë në ambientet e një pike lojërash elektronike, arrestohet 20-vjeçari në Durrës

38 PORTOKOLLE KOMBËTARE PËR TRAJTIMIN E KANCERIT/ Sala: Pacientët të marrin të njëjtin standard në çdo spital Aktualitet

38 PORTOKOLLE KOMBËTARE PËR TRAJTIMIN E KANCERIT/ Sala: Pacientët të marrin të njëjtin standard në çdo spital

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT