Sanksionet amerikane, trazirat e brendshme dhe politikat e gabuara financiare të ndjekur nga autoritetet vendase kanë bërë që bolivari, monedha venezueliane të humbasë dhe zhvlerësohet me 99.9 për qind ndaj dollarit dhe euros.
Në rrugët e Karakasit gjen të hedhura kuturru si mbeturina prerje të ndryshme, kryesisht 1000, vlera e të cilave e konvertuar është vetëm 0.03 dollarë amerikanë.
Pjesa më derrmuese e venezuelianëve janë duke vuajtur pasojat e këtij zhvlerësimi, por jo një 25-vjeçar që ka emigruar në Kolumbi. Wilmer Rojas përdor pikërisht kartmonedhat e bolivarit për të ndërtuar suvenire të ndryshme.
“Mund të përdor edhe letrat e gazetave apo revistave, por bolivari është më mirë. Është më i qëndrueshëm dhe për më tepër, nuk vlen fare. Njerëzit i hedhin sepse nuk vlejnë për të blerë asgjë, madje askush nuk i pranon më”, thotë ai.
Wilmer ndërton duke përdorur monedhën e vendlindjes së tij kapele, kurora, çanta, shporta dhe të tjera suvenire. Një kapele thotë ai kërkon qindra-mijëra prerje bolivarësh, që nuk i kushtojnë më shumë se 2-3 dollarë në total, por që të shndërruara në kapele, 25-vjeçari i shet për 10-15 dollarë.


