Gjatë një mbledhje me dyer të mbyllura të zhvilluar në Luksemburg mes Shefes për Politikë të Jashtme, Federicha Mogherini dhe Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, u diskutua fati marrëveshjes bërthamore të Iranit. Pasi kanë ngritur shqetësimet e tyre, zyrtarët ndërkombëtarë u zotuan këtë të hënë në Luksemburg se do ta mbrojnë marrëveshjen bërthmore të Iranit, duke i bërë apel Shteteve të Bashkuara të heqë dorë nga decertifikimi.
Bashkimi Europian u zotua këtë të hënë, të mbrojë marrëveshjen bërthamore të 2015-ës nënshkruar mes Iranit dhe fuqive botërore dhe i bën apel Shteteve të Bashkuara të mos rivendosë sanksione ndaj Iranit, pas fjalimit të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili zgjodhi të mos pranojë marrëveshjen aktuale.
Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian zhvilluan një mbledhje mes tyre, me iniciativë të Shefes për Politikë të Jashtme e Bashkimit Europian, Federika Mogherini e cila së fundmi ka shprehur shqetësime serioze rreth marrëveshjes me Iranin.
Mogherini, e cila kryesoi fazën përfundimtare të negociatave për marrëveshjen bërthamore në 2015-ën, gjatë takimit të sotëm me dyer të mbyllura, diskutoi me Ministrat e Jashtëm të bllokut 28-vendesh se si do të trajtojnë programin e raketave bërthamore të Iranit. Shefja e Bashkimit Europian, po kërkon mbështetje të fortë nga zyrtarët europianë për të ruajtur të pacënuar marrëveshjen me Iranin.
“Është një marrëveshje që neve na duhet për sigurinë tonë, dhe une pres nga Ministrat sot një sinjal të fortë të unitetit europian dhe angazhimit të plotë për ta zbatuar marrëveshjen nga të gjitha palët “.
Agjensia e Energjisë Atomike e cila vëzhgon programin bërthmor në Teheran, ka nënvizuar se Irani është në pëputhje të plotë me kushtet e marrëveshjes.
Ndërkohë, Gjermania dhe Franca paralajmëruan Shtetet e Bashkuara, se çdo veprim për të shfuqizuar marrëveshjen aktuale të Iranit për armët bërthamore, mund të ketë rrezik dhe pasoja serioze për paqen dhe stabilitetin në të gjithë botën.


