Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka zhvilluar sot një takim me kreun e Vetëvendosjen, Albin Kurtin. Të dyja partitë janë në opizitë dhe sipas asaj që kanë bërë të ditur dy liderët kanë diskutuar në lidhje me mocionin kundër qeverisë.
Në një reagim në Facebook, Kurti shprehet se takimi i zhvilluar me Mustafën ishte në kuadër të mocionit të mosbesimit të qeverisë.
“Sot takova kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa. Biseduam për situatën politike dhe iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik e jo për korrupsion institucional. Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë dhe jo keqqeverisje që na e rrit borxhin, zhvat buxhetin dhe falimenton ndërmarrjet. U pajtuam që t’i bëjmë përgatitjet e nevojshme për rrëzimin e qeverisë”, shkruan Albin Kurti.
Ndërkohë që LDK në një reagim po në Facebook shkruan se Kosovës i nevojitet urgjentisht një qeveri e re. “Korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme. Në ditët në vijim, grupet parlamentare do të veprojnë në organizimin e mocionit”, thuhet në fund të njoftimit për media.