Një nga mitet e rreme me të përhapura nga opozita jonë jashtparlamentare dhe propaganda e saj antiqeveritare, është ajo që tenton të lidhë aksionin e saj pas djegies së mandateve të deputetëve, me synimin për shpejtimin e integrimit të Shqipërisë në BE.
ALIBIA
Duke dalë nga Parlamenti dhe duke mos hyrë në zgjedhjet e 30 Qershorit, opozita do e vendosi mazhorancën përpara alternativës: “Ose të iki Edi Rama, ose të shkrihet opozita!” Nëse ndodh e para, pas kësaj do të krijohet një Qeveri Tranzitore, që do të garantonte standardet për zgjedhje të lira e të ndershme, pas të cilave Shqipëria do të futet në BE.
HILEJA
Kjo “formulë” politike praktikisht nuk bën gjë tjetër, veçse i mundëson opozitës marjen e pushtetit në tavolinë pa zgjedhje. E që kjo hile e madhe të kamuflohet, nis e ambalazhohet me ndriçimin dhe shkëlqimin verbues të premtimeve absurde si këto. Sipas të cilës mjafton që opozita jonë ta mari pushtetin pa votë dhe pas kësaj, me shkopin e tyre magjik, do bëhet gjithçka që shqiptarët ëndërrojnë.
HISTORIA
Kjo flluskë e madhe politike, sa vetë fantazia e gënjeshtrave të lidershipit të opozitës sonë, nuk favorizohet nga historia e cila tregon se si në 1992-1997 kur ishte herën e parë në pushtet, ashtu edhe në 2005- 2013 kur erdhi për herë të dytë në pushtet, PD ka qeverisur vetëm përmes dhunimit politik, partiak e shtetëror të zgjedhjeve. Nëpërmjet skandaleve, korrupsionit dhe krimeve për hir të pushtetit.
REALITETI
As e sotmja nuk e favorizon opozitën tonë. Ja çfarë thonë për këtë Uashingtoni, Brukseli dhe Berlini.
– Michael Roth, ministri i Shtetit për Europën në qeverinë e Kancelares Angela Merkel:
“Opozita nuk është aspak e interesuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe se po ndjek një politikë penguese të papërgjegjshme në kurriz të popullit dhe Shqipërisë. Kjo nuk është e pranueshme!”
– Matthew Palmer, Zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit:
“Bojkotimi i zgjedhjeve apo djegia e mandateve janë thelbësisht në kundërshtim me praktikat demokratike. Nxis partitë e opozitës që të kërkojnë mënyra për t’u riangazhuar në procesin politik, dhe zgjedhjet lokale të qershorit janë mundësia më e mirë për ta bërë këtë sa më parë. Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë mbi reformat zgjedhore, mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi”.
– Johannes Hahn, komisioneri I BE për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit:
“Shqipëria ka vazhduar të ketë progres dhe e ka treguar vendosmërinë e saj për të avancuar në agjendën e BE. Ka çuar përpara reformat, e ka veçanërisht një transformim të madh të sistemit të Drejtësisë, përfshirë një proces të paprecedentë rivlerësimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Partitë opozitare, duhet të riangazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike dhe të kenë angazhim në një konsensus më të gjerë europian”.
PËRFUNDIMI:
Ky pretendim i lidershipit të opozitës sonë jashtparlamentare, është thjeshtë një mit i rremë.
/Marrë nga: Alfred Pez@, blogu personal


