Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë ka publikuar të dhëna interesante lidhur me shkëmbin e Gramës në gadishullin e Karaburunit në Vlorë që është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, nga Instituti i Shkencave në vitin 1948. Informacioni i publikuar jep direktiva se si mund të vizitohet ky atraksion turistik ndërsa nuk mungojnë fotot që janë realizuar nga Kriledjan Çipa.
Viti/koha e ndërtimit: Shek. VI para. Kr.
Vendndodhja: Gadishulli i Karaburunit, Bashkia Vlorë.
Përshkrimi: Gjiri i Grammatas ose i Gramës, ndodhet në rrëzë të shpatit perëndimor të Karaburunit, në një zonë të pabanuar. Gjiri në antikitet, ka shërbyer fillimisht si një nga guroret më të mëdha të gadishullit të Karaburunit, e cila është shfrytëzuar, që në shek.. VI para. Krishtit.
Në këtë gurore, faleza ka qenë shfrytëzuar në një lartësi prej 130 m dhe në një gjerësi prej 100 m. Mbas braktisjes së gurores, duke nisur nga shek. III para. Kr, në faqet e sheshta të krijuara nga prerja dhe heqja e blloqeve shkëmbore gdhenden lutje nga marinarët apo udhëtarët, që strehoheshin në këtë gji për t’iu shpëtuar stuhive.
Kjo traditë e inçizimit të lutjeve ka vazhduar dhe përgjatë mesjetë, por tashmë ato i dedikohen kultit të krishterë, deri në shek. XIX. Mbishkrimet janë gdhendur në korniza dhe në shumicë e rasteve janë realizuar me inçizim. Shumica e mbishkrimeve antike në gjuhën greke u drejtohen Dioskurëve, Kastorit dhe Poluksit, që janë hyjni shpëtimtar, mbrojtës të detarëve.
Gjatë periudhës helenistike, gjiri ka shërbyer si një sanktuar i hapur kushtuar këtyre hyjnive. Në këto mbishkrime nuk mungojnë as emrat e figurave historike, siç është ai i Cnaeus Pompeius, i perandorit Bizantin Johanit V Paleologu apo dhe Mark Antonit.
Numri i mbishkrimeve mendohet të jetë rreth 1500 copë.
Funksioni: Ka qenë gurore antike dhe sanktuar i hapur, sot është monument kulture.
Hyrja: Pa biletë.
Itinerari: Për të shkuar drejt Gjirit të Gramës me rrugë tokësore ekzistojnë dy varjante, në të dy raster pa automjet, por me anë shtigjesh.
Varianti i parë është rruga Llogara-Qafa e Thellë-Gropa e Kumbullës-Gjiri i Gramës dhe zgjat 5 orë e 30 minuta.
Varianti i dytë është nga “Rrugët e Bardha” (Palasë)-Shën Andrea-Gjiri i Gramës dhe zgjat 4 orë. Në të dy rastet duhet të jeni të pajisur me veshje të përshtatshme, ushqime dhe ujë.
Një variant i tretë, që zgjat rreth 40 min ose 1 orë është me anë të rrugëve detare, me mjete lundrimi që nisen nga Gjiri i Vlorës ose nga Dhërmiu.