Të mbash një raport të mirë me ish-in, duke e bërë edhe shokë me të dashurin apo burrin tënd aktual, nuk është dhe aq e çuditshme sa mund të konsiderohet nga një pjesë e mirë. Në fund të fundit, ku është problemi. Gjithçka është transparente dhe s’ka vend për ide të tjera.
Ai është një ish, i përket të kaluarës dhe për një arsye apo një tjetër nuk jeni më bashkë. Kjo, jo domosdoshmërisht do të thotë ta urresh apo ta nxjerrësh njëherë e mirë nga jeta jote. Jo, mund të ruash marrëdhënie shumë të mira dhe pse jo të kalosh ca kohë me të dhe partnerin aktual. Shumë e kanë provuar dhe gjithçka ka shkuar për mrekulli.
Gwyneth Paltrow ishte e fundit e cila provoi se mëngjesi mund të bëhet shumë më tepër i këndshëm nëse në tavolinë ke të sapofejuari dhe ish- bashkëshortin. Aktorja dhe Chris Martin kanë 2 fëmijë bashkë dhe marrëdhënia pas divorcit ka qenë për tu marrë shembull.
Sikur të gjithë divorcet të shkonin si ai i Jennifer Lopez dhe Marc Anthony bota me siguri do të ishte krejt ndryshe. Gjithnjë prezent dhe në paqe tek jetët e njëri-tjetrit. Me shumë gjasa, këngëtari ka takuar çdo të dashur të ri të divës, përfshi dhe dashurinë e re të Lopez, Alex Rodriguez. Të tre ata kanë frekuentuar bashkë të njëjtat vende dhe Jennifer s’është ndier në siklet për asnjë moment.
Por diçka të tillë, nuk e kemi parë vetëm tek yjet e Hollywood-it. Personazhe të njohur të shoëbiz-it shqiptarë na kanë treguar se të jesh në një vend bashkë me ish-in dhe aktualin nuk është aq e vështirë sa mund të duket.
Vitin e kaluar, Dafina Zeqiri u ribashku në skenë me Ledri Vulën, ish-partnerin e saj, por në të njëjtin vend ishte dhe i dashuri aktual, Jose. Asokohe këngëtarja është shprehur më e dashuruar se kurrë me djalin nga Republika Domenikane, ndërkohë që me reperin ruan marrëdhënie të mira miqësore dhe profesionale.
Në prill të këtij viti, gazetari Andi Bejtja publikoi një foto ku shfaqej me gruan dhe ish-gruan e tij.
“Kontribut për konsensusin. Sot dua të kontribuoj konkretisht për paqen dhe konsensusin. Ja ku jam me gruan dhe ish-gruan.”- shkroi ai.
Dhe përveç buzëqeshjeve të tyre, nuk u pa të shprehnin diçka tjetër.
Blero dhe Afrona janë një tjetër çift i cili ruan raporte të mira me ish-bashkëshorten e këngëtarit, Teutës. Dhe e fejuara e re e Bleros jo vetëm që shkon mrekullisht mirë me vajzën e tij nga martesa e parë, por herë pas here lë komente plot dashuri në fotot e Teutës, gjest i cili ka bërë që shumë prej ndjekësve të reagojnë.









