Thinking Machines Lab, startup-i i ri i Mira Muratit, ka tërhequr vëmendje për pagat jashtëzakonisht të larta që u jep specialistëve të teknologjisë.
Kështu raportojnë media të huaja, sipas të cilave, TML po u paguan dy anëtarëve të stafit të saj teknik 450,000 dollarë pagë, ndërsa një tjetër po merr 500,000 dollarë, sipas të dhënave nga Business Insider. Kurse një punonjës i katërt, i listuar si “bashkëthemelues/specialist i mësimit automatik”, merr 450,000 dollarë në vit.
Meqenëse kompanitë rrallë zbulojnë të dhëna për pagat, shifrat ofrojnë një pamje të rrallë të asaj që kandidatët po fitojnë në këtë treg pune. Vlerat përfshijnë vetëm pagat bazë, jo bonuset fitimprurëse të hyrjes dhe shpërblimet e kapitalit që shpesh janë vendi ku fitohen shumat e mëdha.
Të dhënat thuhet se janë nga tremujori i parë i këtij viti, përpara se Murati të mblidhte 2 miliardë dollarë në financimin fillestar me një vlerësim prej 10 miliardë dollarësh, sipas Business Insider.
Murati kaloi 6 vjet e gjysmë në OpenAI, ku punoi në zhvillimin e ChatGPT dhe iniciativave të tjera kërkimore të inteligjencës artificiale. Ajo u emërua shkurtimisht CEO e përkohshme në nëntor 2023 pasi bordi i OpenAI shkarkoi papritur Sam Altman, një veprim që shkaktoi trazira brenda kompanisë. Pas rikthimit të Altman në detyrë si CEO, Murati rifilloi rolin e saj si shefe e sektorit të teknologjisë.