Ministria e Brendshme ka organizuar një tryezë konsultimi me përfaqësues të legjislativit, agjencive ligjzbatuese dhe shoqërisë civile, për projektligjin “Për vlerësimin kalimtar të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së”. P/ligji synon të ndërtojë institucione të forta me profesionistë me integritet.
Kriteret e vlerësimit për punonjësit e Policisë janë tre: integriteti, pasuria dhe profesionalizmi. Nisma ligjore u prezantua nga zv/ministri i Brendshëm Julian Hodaj, i cili shpjegoi detajet e draftit, përfshirë mënyrën e funksionimit të komisioneve që do të kryejnë Vetting-un. “Ky model presupozon ndarjen në tre kategori të mëdha dhe zhvillimin e procesit me tre faza. Janë rreth 300 punonjës që kanë funksione me grada të larta që vlerësohen në fazë të parë. Rreth 2500-3000 punonjës me funksione si grada të mesme, që vlerësohen në fazën e dytë dhe rreth 9 mijë punonjës të nivelit zbatues që vlerësohen në fazë të fundit. Presupozohet që në fazën e pare, ata 300 punonjës me grada dhe funksione të larta të vlerësohen nga një Komision i Jashtëm Vlerësimi, i përbërë nga 15 anëtarë me prejardhje të ndryshme.
Një herë që mbaron kjo fazë, ky organ, pra komisioni i jashtëm i vlerësimit pushon së egzistuari dhe krijohet një organ i dytë vlerësimi për fazën e dytë, ku përveç 15 anëtarëve të komisionit të fazës së parë, rekurtohen edhe 30 anëtarë, shtesë që janë nga punonjësit të cilët e kanë kaluar vlerësimin me sukses në fazën e parë. Dhe kështu me radhë. Kur arrijmë te faza e tretë komisioni i fazës së dytë pushon së egzistuari dhe krijohet një komision tjetër, i madh gjithmonë, me 135 anëtarë, ku 90 anëtarë shtesë, pra 45 të fazës së dytë plus 90 anëtarë shtesë, rekrutohen gjithmonë nga punonjësit që kanë kaluar me sukses vlerësimin në fazën e dytë”, tha zv/ministri Julian Hodaj.
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u shpreh për rëndësinë e procesit, duke e vënë theksin te paanshmëria e komisioneve të vlerësimit. “Pritshmëria e këtij procesi nuk konsiston vetëm në faktin se disa individë që nuk meritojnë nuk do të jenë më, se sa fakti se ata që janë shumica që do të mbeten në organizatë do të kenë besueshmërinë e nevojshme, por do të kenë edhe motivin e nevojshëm për të shërbyer në përbërje të kësaj organizate në zbatim të Kushtetutës, të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve”, tha ministri Xhafaj. Gazetari Besar Likmeta sugjeroi një fushatë intensive komunikimi, si shoqëruese të procesit të Vetting-ut dhe përfshirjen e shoqërisë civile në monitorimin e jashtëm.
“Një nga ato mësimet e mëdha që ne morëm nga procesi i Vetting-ut, ose fillimi i procesit të Vetting-ut në Prokurori dhe Gjykata , që kanë nevojë për një strategji komunikimi të qartë për publikun që duhet të përfshihet, po ashtu edhe për trupën e brendshme që do të jetë pjesë e këtij procesi. Dhe tjetra është, si do të garantohet transparenca. Nëse shoqëria civile duhet të përfshihet është mënyra e vetme që shoqëria civile mund të përfshihet si roje, në rolin e qenit roje, e watchdog-ut”, shtoi Likmeta. Sotiraq Hroni, një aktivist prej 2 dekadash si pjesë e shoqërisë civile në fushën e sigurisë e vlerësoi si pozitive nismën.
“Unë kam një vlerësim pozitiv me thënë të drejtën dhe në eksperiencën time gati prej dy dekadash në shoqërinë civile, kjo është hera e parë që shikoj një institucion publik të nivelit të lartë, politik-bërës, që është i hapur ndaj evidencave dhe inputeve të ndryshme kanë ardhur nga aktorë të ndryshëm, përfshirë këtu shoqërinë civile. Kjo tregon që është një përpjekje e sinqertë. Ky është reagimi im i parë me kolegët sa e lexova kur mu dërgua nga ministria. Unë kam parë një vlerësim real dhe kur është një vlerësim real është një vlerësim i sinqertë. Dhe duke qenë i sinqertë mund të gjenden zgjidhjet pavarësisht problematikave që mund të ketë”, nënvizoi Hroni. Pas konsultimit të gjerë publik, projektligji pritet të miratohet në muajin janar 2018 në qeveri dhe më pas të kalojë në Kuvend.
Prononcimi i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pas takimit konsultativ me perfaqesues te shoqerise civile, te agjencive ligjzbatuese per projektligjin “Per vleresimin kalimtar te Policise se Shtetit, Gardes dhe SHÇBA”.
Ministri Xhafaj në nja prononcim për mediat çfarë u diskutua në mbledhjen që organizoi mesditën e sotme. Xhafaj theksoi se ishte një tryezë ku kryefjalë kishte Vettingun në radhët e policisë së shtetit.
“Sot ishte një tryezë tjetër lidhur me Projektligjit e Vettingut. Një tryezë me aktorë të shoqërisë civile, me agjencitë ligjzbatuese që do përfshihen në gjithë këtë proces, në mënyrë që të sqarohen disa detaje nga pikëpamja e përmbajtjes së ligjit lidhur me përgjegjësinë e gjithë këtyre agjencive ligjzbatuese, që ato jo thjesht të marrin përsipër përgjegjësitë por dhe t’i ushtrojnë ato në përputhje me detyrimet që do të përcaktojë ligji.
Ishin kontribute që dhanë aktorët e agjencive ligjzbatuese që do të jenë pjesë e procesit dhe shoqëria civile.
Ne do të reflektojmë së bashku me komentet dhe sugjerimet që do të vijnë nga vetë radhët e Policisë, me të cilën kemi hapur tashmë një proces konsultimi. Dhe mbasi të reflektojmë të gjitha këto kontribute të dobishme që përmirësojmë cilësinë e këtij projekti, do të vijmë më pas në një tryezë shumë më të gjerë, për ta bërë publike E transparente dhe për publikun, për të ndjekur gjithë procesin e nevojshëm që parashikohet lidhur me projektligjet”.
Dëshiroj të vlerësoj faktin që në këtë tryezë ishin aktorë të rëndësishëm nga Legjislativi, fusha pedagogjike, shoqëria civile dhe disa agjenci ligjzbatuese siç është ILDKPI, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, SHISH dhe një sërë aktorësh të tjerë të rëndësishëm që do të jenë pjesë e procesit të vlerësimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, punonjësve të Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së.
Një sqarim. Pse pikërisht keni zgjedhur Ministrinë e Drejtësisë?
Ministri Xhafaj: Po jua them që ta kuptoni. Ne nuk duam t’i shpenzojmë paratë e shtetit nëpër hotele, kur shteti vetë ka struktura, ka mjedise ku nuk harxhojmë lekë kot.
2018-ta do të ketë Vetting edhe në Policinë e Shtetit…
Absolutisht po. E kam thënë që ditën e parë që jam bërë ministër që kjo do të jetë një nga prioritetet e punës në funksion të nevojës për të pasur një organizatë policore shumë më të fortë se deri tani, dhe për të pasur në radhët e Policisë së Shtetit njerëz me integritet të fortë, të qëndrueshëm moral dhe profesional.
Dua të them që policia sot ka në përbërjen e saj njerëz të tillë, ka një shumicë dërrmuese të njerëzve që gëzojnë pikërisht këtë cilësi.
Dhe kjo është arsyeja që Policia e Shtetit përballon sot me sukses një sërë detyrash që i afron ligji, në respekt të ligjit por dhe në shërbim të përditshëm të qytetarëve, siç e shihni edhe në këto ditë festash ku ndërsa të gjithë përgatiten për festat, gëzojnë në mjediset e tyre shoqërore dhe familjare. Ata përveç kësaj pjese aktiviteti normal si pjesëtar me familjet e tyre dhe me rrethet e tyre shoqërore, kanë edhe një barrë të madhe, të punojnë brenda dhe jashtë orarit për t’i bërë më të qeta dhe të sigurta këto festa për të gjithë qytetarët e Republikës.
Kështu që nëpërmjet jush është rasti për t’i falënderuar të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit për këtë angazhim të jashtëzakonshëm që po tregojnë edhe në këto ditë, dhe për t’u bërë njëkohësisht edhe një thirrje të gjithë qytetarëve që t’ua lehtësojnë sa më shumë këtë sakrificë punonjësve të policisë.
Faleminderit edhe për juve që shpesh herë na mirëkuptoni dhe vlerësoni!
Sot paskemi bërë lajm të vërtetë?!
Lajm të vërtetë, pa dyshim, unë besoj që jeni…
T’ju bëj dhe një pyetje tjetër, kur do e takoni Prokuroren e Përgjithshme? Thatë të mërkurën, s’e takuat sot. Shkak axhenda… kur do e takoni?
Për shkak të axhendës. Me thënë të drejtën, por bëre shumë mirë që më the. Po i kërkoj një takim institucional këto ditë.







