Milan-Juventus është supersfida e Seria A, që mezi pritet nga opinioni futbolldashës mbarëbotëror, jo vetëm në Itali. Kjo ndeshje do të luhet sonte, në “San Siro”, ora 18:00. Trajneri Masimilliano Allegri e gjen përsëri sulmin, ndërsa Vicenso Montella konfirmon modulin 3-4-2-1. Kuqezinjtë e suksesshëm do të largonin pjesën më të madhe të skepticizmit, që ata kanë grumbulluar me tri humbjet para disfatës ndaj Chievos. Të besuarit e Allegrit kanë nevojë për një sukses, për të pastruar ato çarje që, pavarësisht goleadës, janë bërë të qarta në ndeshjet e fundit. Juventusi do të kthejë në stol Douglas Costa dhe Bernardeschi, ndërsa në shtëpi, Milani do të propozojë për ndeshjen e tretë radhazi skemën 3-4-2-1, që duket ideale për të dalë përfundimisht nga kriza. Montella ka të pezulluar Bonucci, por mbrojtja me tre nuk preket: Zapata dhe Ricardo Rodriguez nga krahët, ndërsa Romagnoli në qendër.
Pra, Musacchio e nis nga stoli. Në mesfushë, habia është Abate, i cili do të luajë në të djathtë, ndërsa në të majtë do të ketë Borini. Biglia do të jetë atje dhe do të bashkohet me Kessie në qendër të mesfushës. Sulmi kuqezi pritet të përbëhet nga dueti Suso-Calhanoglu, që do të mbështesin “pykën” Kalinic.
Juventusi e nis nga minuta e parë me Buffon, Chiellini, Pjanic dhe madje, edhe Mandzukic, i cili pushoi një ndeshje. Me Lichtsteiner në të djathtë dhe Pjanic-Khedira në mesfushë, Barzagli dhe Chiellini në qendër të prapavijës, dhe Asamoah në të djathtë, Juventusi do të aktivizojë Cuadrado pas pikës qendrore sulmues, që është Higuain. Ai do të ndihmohet nga krahët e ofensivës prej dyshes Dybala dhe Mandzukic.
Disa statistika – Juventusi ka fituar tetë nga nëntë takimet e fundit në kampionat me Milanin. Në shtatë sfidat e fundit mes dy skuadrave, të luajtura në “San Siro”, për llogari të Seria A, kuqezinjtë nuk kanë arritur të shënojnë më shumë se një gol (pesë në total). Milani nuk ka shënuar në dy ndeshje në shtëpi, në kampionat. Në duelet mes këtyre dy skuadrave në kampionat është parë një mesatare e përgjithshme prej 4.7 golash për ndeshje. Në veçanti, që nga gushti i vitit 2010, bardhezinjtë nuk pësojnë gola të jashtëm për tetë ndeshje të njëpasnjëshme në Seria A. 31 gola deri më tani për Juventusin, këtë sezon (sulmi më i mirë) është diçka që kishte ndodhur në sezonin e largët 1951-1952. Gjithmonë po flasim për Juventusin, që asokohe kishte realizuar 31 gola në 10 ndeshjet e para të Seria A.
Nikola Kalinic, i cili shënoi në ndeshjen e fundit kundër Chievos, e ka gjetur rrugën e rrjetës në të tria ndeshjet e fundit në kampionat, të luajtura kundër Juventusit. Gonzalo Higuain ka shënuar katër gola në katër ndeshjet e para kundër Milanit në Seria A, por asnjë gol në katër ndeshjet e fundit kundër kuqezinjve.