Ditën e sotme Presidenca ka njoftuar se Ilir Meta ka dekretuar shpalljen e ligjit për “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësi”. Realizimi i këtyre ndryshimeve ligjore i hap rrugë ngritjes dhe funksionimit të organeve të reja që do të bënin të mundur plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe emërimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Pjesë nga fjala e Blushit:
Presidenti i Republikës, që prej muajit janar-shkurt 2017, ka insistuar në vijimësi për realizimin e ndryshimeve të domosdoshme ligjore të nenit 221 të këtij ligji shumë të rëndësishëm për Reformën në Drejtësi dhe ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja që do të bënin të mundur plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe emërimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Problematikat e zbatimit të kësaj dispozite ligjore dhe pamundësia reale e disa prej organeve të sistemit të drejtësisë për të zbatuar këtë dispozitë të ligjit (nenit 221) në mënyrën se si ato ishin parashikuar u konstatua që në janar 2017 moment ky kur u hodh shorti i parë nga Kuvendi për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në këtë dispozitë të ligjit përcaktoheshin kushtet dhe kriteret që duhet të plotësonin kandidatët për t’u përfshirë në shortin për tu zgjedhur anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe procedurat e përzgjedhjes së këtij organi. Organet respektive të asaj kohe (Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së) që duhej të propozonin, apo të cilave ju është kërkuar propozimi i kandidaturave për hedhjen e shortit për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në këto 3 vjet nuk kanë patur të gjithë mundësinë për të zbatuar nenin 221 në mënyrë të unifikuar, pasi jo të gjitha organet kishin në përbërjen e tyre, kandidatë që kishin përfunduar Shkollën e Magjistraturës, siç e kërkonte domosdoshmërisht kjo dispozitë ligjore që sot po ndryshon.
Zbatimi rigoroz i kësaj dispozite diktonte problematikë në realizimin e shortit dhe kufizimin e numrit të kandidatëve për tu zgjedhur anëtar të KED.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një organ shumë përcaktues për integritetin e sistemit të drejtësisë. Ky organ është bllokuar për dy vite radhazi në mënyrë të pajustifikueshme pavarësisht nga përpjekjet sistematike të Presidentit Meta jo vetëm që prej marrjes së kësaj detyre, por dhe kur ishte Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Presidenti i Republikës ka kërkuar në vijimësi përmirësimin e dispozitave të ligjit nr. 115/2016 dhe plotësimin e vakumit të krijuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë shfuqizuar disa dispozita të ligjit nr 115/2015 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Më në fund, pas 30 muajsh, Kuvendi me ligjin nr. 47/2019, miratuar në datë 18.07.2019, ka përmirësuar nenin 221 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe ka plotësuar vakumin ligjor.
Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar dhe ka realizuar ndryshimet e domosdoshme në ligjin nr. 115/2016 në një kohë shumë të vonuar, sërish Presidenti i Republikës i mirëpret ato, dhe për këto arsye me Dekretin nr.11242, datë 30.07.2019, ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji pa vonesë, duke shpresuar në mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes dhe mirëfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi“,- vijoi Blushi.
Që prej marrjes së detyrës nga korriku i vitit 2017 ka marrë në shqyrtim 193 ligje nga të cilat ka dekretuar 156 ligje. Ka kthyer 14 ligje dhe ka lënë në heshtje 16 ligje.