Dy efektivët e policisë Anxhelo Breshani dhe Nako Mehmetaj kanë qenë duke udhëtuar në një automjet privat mbrëmjen e të premtes në momentin kur janë bërë shënjestër e plumbave.
Mësohet se makina e atentatorit ka ecur paralel me ta duke hapur zjarr. Autori/ët ka qëlluar të paktën 5 herë në pjesën e përparme të automjetit të policëve dhe më pas dyshohet se është larguar në drejtim të Lumit të Vlorës.
Dyshimet paraprake janë se atentati ka qenë një mesazh paralajmërues për dy efektivët duke qenë se makina e autorit nuk është ndalur për t’u siguruar se plumbat do të kryenin qëllimin por është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Efektivët i kanë thënë kolegëve të tyre se nuk kanë asnjë konflikt dhe nuk kanë pasur përplasje të mëparshme duke e bërë të vështirë identifikimin e mundshëm të autorit.
Megjithatë policia po siguron edhe pamjet e sigurisë të bizneseve në zonë ndërkohë që po bëhet verifikimi i pronësisë së automjetit që u bë shënjestër e plumbave. Kjo pasi një nga pistat e hetimit lidhet pikërisht me detyrën e dy policëve.


