Armenia, Azerbajxhani kanë nënshkruar një marrëveshje, me ndërhyrjen e Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit ushtarak në rajonin Nagorno-Karabakh.
Lajmi është konfirmuar nga kryeministri i Armenisë Nikoll Pashinyan në një postim në Facebook në orët e para të ditës së sotme. Kryeministri Pashinyan e quajti marrëveshjen “tepër të dhimbshme si për të ashtu edhe për njerëzit e tij”.
“Vendimi merret bazuar në analizat e thella të situatës luftarake dhe në shqyrtim me ekspertët më të mirë të fushës. Kjo nuk është fitore por nuk është humbje derisa ta konsiderosh veten të mundur. Ne kurrë nuk do ta konsiderojmë veten të mundur dhe kjo duhet të bëhet fillimi i një epoke të re të unitetit tonë kombëtar dhe të rilindjes”, tha Pashinyan në median sociale.
Marrëveshja e paqes hyn në fuqi sot. Sipas disa pikave të marrëveshjes, Azerbajxhani do të mbajë në zonat e Karabakut që ka marrë gjatë konfliktit. Armenia gjithashtu ka rënë dakord të tërhiqet nga disa zona të tjera ngjitur gjatë javëve të ardhshme.
Kjo marrëveshje vjen pas gjashtë javësh luftime me gjakderdhje midis Azerbajxhanit dhe armenëve etnikë. Rajoni është i njohur ndërkombëtarisht si Azerbajxhan, por drejtohet nga Armenët etnikë që nga viti 1994.
Në atë vit, një armëpushim u nënshkrua pas luftimeve, por jo një marrëveshje paqeje. Një numër i marrëveshjeve të armëpushimit janë ndërmjetësuar që kur filluan luftimet përsëri në shtator, por të gjitha kanë dështuar, deri më sot.


