Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni më i lartë i kontrollit financiar në Shqipëri, po zhvillon një auditim masiv në zyrat e shtetit shqiptar, kryesisht mbi menaxhimin e parave publike, ligjshmërinë e tenderave dhe kontratave, shkarkimet dhe emërimet e punonjësve, praktikat e shpenzimeve, inventarët e materialeve, administrimin e pronave publike, planifikimet, realizimet, zbatimin e rekomandimeve etj. Aktualisht po i nënshtrohen kontrollit 40 institucione të pushtetit qendror dhe vendor, ndërsa raportet e kontrollit, shoqëruar sipas rasteve edhe me kallëzime penale, do të publikohen deri në fund të vitit 2018.
Objekt i kontrollit të KLSH janë disa bashki, ZVRPP-të në rrethe, spitalet dhe agjencitë e trajtimit të pronave. Gjithashtu janë në proces auditimi Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, dega e Doganës Tiranë, Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë, dega e Doganës Durrës, Qendra Kombëtare e Biznesit etj. Shqiptarja.com ka mësuar gjithashtu se po auditohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit edhe Banka e Shqipërisë, Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik, Policia e Shtetit, Departamenti i Administratës Publike, Avokatura e Shtetit, Enti Kombëtar i Banesave etj. Po ashtu, kontrollit po i nënshtrohen Agjencia Kombëtare të Burimeve Natyrore, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Autoriteti Portual Durrës, Albpetroli, Fondi Shqiptar i Zhvillimit etj. Kontrolli po zhvillohet kryesisht për periudhën 01.01.2017 deri në 31.12.2017, por disa institucione po auditohen edhe për periudhën para 1 janarit 2017 si dhe pas datës 31 dhjetor 2017.
Auditimet
Auditimet e KLSH bazohen kryesisht në bazë të riskut, ku merren parasysh zhvillimet shqetësuese të ndodhura, por edhe parashikimet e mundshme. Aiditimi në bazë risku përfshin analizën përdorimin e regjistrit të riskut, nëpërmjet hartimit të një tabele të dhënash. KLSH ka hartuar një dokument, i cili përcakton parimet e përgjithshme të menaxhimit të riskut në Kontrollin e Lartë të Shtetit, metodë sistematike që përdoret
për të identifikuar, analizuar, vlerësuar, trajtuar, monitoruar dhe komunikuar risqet kryesore që shoqërojnë përgjegjësitë e KLSH me qëllim minimizimin e ngjarjeve negative të paparashikuara dhe maksimizimin e mundësive. Menaxhimi i riskut përfshin identifikimin, vlerësimin, kontrollin dhe monitorimin e atyre ngjarjeve të mundshme që mund të kenë ndikim negativ në arritjen e objektivave të njësisë dhe është i ndërtuar të japë garanci të arsyeshme që këto objektivat do të arrihen.
Fokusi i KLSH
Në vijim, në fokus të KLSH do të jenë investimet publike nëpërmjet PPP-ve dhe privatizimet. Objekti reflektohet në një strategji të institucionit. “Investimet publike nëpërmjet PPP-ve janë tashmë më shumë prezent në programin e Qeverisë, dhe mbartin risqe të konsiderueshme fiskale dhe të zbatimit. Vlerësimi dhe monitorimi i projekteve PPP përbejnë një sfidë tjetër për veprimtarinë e KLSH në përmbushje të misionit të tij kushtetues. Privatizimi i pronës shtetërorë dhe në mënyrë të veçantë privatizimet strategjike mbartin risqe të konsiderueshme me impakt të rëndësishëm në buxhetin e shtetit. Kontrolli i Lartë i Shtetit do të vijojë ndjekjen hap pas hapi të procesit dhe nëpërmjet raporteve të tij, me rezultatet e vlerësimeve të japë siguri të arsyeshme tek Kuvendi i Shqipërisë në lidhje me abuzimet, parregullsitë, korrupsionin apo mashtrimin financiar që mund të kenë shoqëruar këto procese”, thuhet në strategji.