Biblioteka Kombëtare u themelua në Tiranë më 10 korrrik të vitit 1920, ndërsa përurimi i saj u bë në po të njëjtën datë, por dy vjet më vonë. Me sa duket Kongresi i Lushnjës, pavarësisht nga varfëria financiare dhe kulturore e kohës, projektonte dijen evropiane për zhvillimin kombëtar.
Fondi i parë me libra, vërtetë i vogël në numër, ndonja tremijë copë, por me vlera të zgjedhura nga dijetarët e asaj kohe, u krijua duke shfrytëzuar bibliotekën e “Komësisë Letrare Shqipe”, emri i së cilës përmendej që katër vjet më parë dhe atë të shoqërisë “Vllaznia”.
Nderin për të qenë drejtori i parë i arkivit të dijes e pati Mati Logoreci, gjuhëtar, historian dhe publicist, sfera e njohurive të të cilit ishte mbarëkombëtare. Në atë kohë u bënë shumë përpjekje për të pasuruar bibliotekën me libra. Po të shqyrtosh dokumentacionin që ruhet sot në Arkivin Qendror Shtetëror do të kuptosh gjerësinë e këtij veprimi. U shfrytëzuan të gjitha mundësitë, por varfëria financiare, e bashkëjetoi shpresën edhe me nismat private të njerëzve të kulturës.
Një i tillë, në mos privatisht, i këshilluar nga shteti i asaj kohe, ishte edhe Mehmed Konica. Në atë kohë ai punonte në Legatën shqiptare në Londër me detyrën e ministrit, apo të ambasadorit.
Në fillim të vitit 1923 ai mori një letër nga ministri i atëhershëm i arsimit, Rexhep Mitrovica, me anë të së cilës e njoftonte për themelimin e Bibliotekës Kombëtare dhe padyshim edhe për mundësinë e ndihmesës së tij për pasurimin e saj me libra.
Ndonëse nuk është gjendur ende shkresa zyrtare, kërkesa për ndihmë kuptohet nga letra e përgjigjes, që Mehmed Konica i dërgoi Ministrit të Arsimit.
Ajo ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, me “koordinatat”: Fondi 195. Viti 1923. Dosja 87. Faqe 183.
*********
ALBANIAN LEGATION – 18, ROSARY GARDENS,
N: 295 LONDON, S. Ë. 7.
Bibloteka kombëtare Me 2 Shkurt, 1923
Zoti Ministër.
Mos e quani se e vura më nj’anë letrën që më dërguat me 13 të Gushtit të vitit të kaluar, N: 1144/1, mi themelimin e bibliothekës kombëtare ose të Shtetit. Disa shkake më ndaluan për ca kohë të merrem me këtë punë. Ca ditë më parë bëra një thirrje me anë të gazetës The Times, po vetëm tri njerës më dërguan disa libra. Si e pashë që nga këjo thirrje s’doli gjë, i shkrova një studenti në Universitet të Cambridge-it i cili me një-herë mblodhi nga miqt’ e tij 140 libra dhe m’i dërgoj. Ky student i quajtur Basil Atkinson, do të ju dërgoj për një mot rivistën “Discovery” muaj për muaj.
I thashë t’a adresojë në Ministri të Zotërisë suaj. Zoti Atkinson ka mësuar miaft gjuhën tonë dhe do të bëjë për s’afërmi një udhëtim në Shqipëri. Një tjatër miq më dërgoj nja tridhjet copë, ca të përdorura, ca fare të ra q’i bleu kastile për bibliothekën tonë. Kam tani nja 200 libra, më të shumat libra të vlefshme, po jam i shtrënguar t’a qëndroj hëpërhë mbledhjen e librave nga shkaku që jemi ngushtë me këtë shtëpi dhe s’kemi vënd për librat, dhe që do të shkoj këto dit me leje. Kur të kthehem do të nis përsëri, dhe kam shpresë të mbledh nonjë mij copë dhe të ju a dërgoj të gjitha bashkë, me listën e librave dhe emrat e dhuronjësve. A jini i kënaqur me një mij copë? Do të ju jem mirënjohës po të më shkruani sa libra kini mbledhur gjer tani për bibliothekën.
Pranoni, Zoti Ministër, të falat e mia me nder.
Firmosur: Mehmed Konitza
Ekselencës Tij, R. Mitrovica
Ministr’ i Arësimit,
NE TIRANE.
Basil Atkinson, studenti që kishte mësuar shqip dhe që tregohej kaq dashamirës për përparimin kulturor të vendit tonë dhe që do të vinte edhe në Shqipëri, ka lindur në vitin 1895 në Tonbridge. Në vitin 1919 hyri në kolegjin e Magdalenës në Kembrixh. Në universitetin e këtij qyteti ai ishte ndihmës bibliotekar dhe më vonë, por shumë më vonë, kujdestar, a ruajtës i dorëshkrimeve.
Gjatë jetës së tij, e deri sa vdiq në vitin 1971, u mor me studime fetare dhe gjuhësore. Mund të konsiderohet edhe si pionier i literaturës popullore evangjelike, të shkruar me një stil të thjeshtë.
Sa i takon shkrimit që lidhet me ndihmesën e tij për Bibliotekën Kombëtare, nuk është gjendur ndonjë gjë më tepër.