Gjykata e Lezhës ka liruar nga qelia e burgut Endrit Vejsiun, vëllanë e moderatores Alketa Vejsiu i cili u arrestua një vit më parë me 4 mina me telekomandë dhe 3 kg lëndë narkotike.
Endrit Vejsiu u dënua me 6 vite burg për dy vepra penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Pavarësisht dënimit Vejsiu nuk do të qëndrojë në burg pasi përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi i shkon në 4 vite heqje lirie, të cilat sipas gjykatës ai do t’i shlyejë pjesën e mbetur të dënimit me shërbim prove për një periudhë kohore prej 5 vitesh dhe jo pas hekurave. Vendimi u dha nga trupa gjykuese e kryesuar nga Artan Hajredinaj.
Ditën e sotme ai është liruar nga burgu. Siç shihet edhe në pamjet e mëposhtme, 29-vjeçari i veshur sport me tuta gri, atlete dhe bluzë në ngjyrë lejla është me prangat në duar. Teksa është duke ecur për t’u futur në makinë, ai iu hakërrehet gazetarëve. Endrit Vejsiu mban kokën mbrapa dhe reagon ashpër ndaj gazetarëve dhe operatorit. Janë policët ata që e shtyjnë dhe nuk e lejojnë që të vazhdojë më tek komunikimin me ta.


