Ora 9:00 e ditës së sotme do të shënojë fundin e krizës më shumë se 48 orëshe të krijuar në Aeroportin e Rinasit pasi pjesa më e madhe e kontrollorëve të AlbControl lanë punën.
Lajmin e rikthimit në normalitet e ka dhënë orët e para të mëngjesit të sotëm ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila bën me dije kështu rinisjen edhe të fluturimeve komerciale.
“Duke filluar nga ora 09:00 e ditës së sotme, operimet në aeroportin e Rinasit dhe në hapësirën ajrore shqiptare kthehen në normalitet”, ka shkruar Balluku.
Rikthimi i normalitet në Rinas vjen pasi në vend kanë ardhur kontrollorë nga Turqia dhe Greqia, ndërkohë që një pjesë e kontrollorëve që lanë punën janë rikthyer, pas thirrjes të bërë nga kreu i qeverisë dhe Ministrja Belinda Balluku.
Kujtojmë se mëngjesin e së mërkurës u bllokuan fluturimet në aeroportin e Rinasit ndërkohë që dje pasdite rinisën fluturimet esenciale që përfshijnë fluturimet humanitare, diplomatike, ushtarake dhe shëndetësore. Pjesa më e madhe e kontrollorëve të trafikut ajror në AlbControl ndaluan punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë deklaruar paaftë për punë.
Për situatën e krijuar por edhe për faktin se greva nga kontrollorët është e ndaluar me ligji policia ka arrestuar tre kontrollorë të trafikut ajror, kreun e sindikatës, Armando Fezga, Flora Ndreca, përgjegjëse e turnit dhe Muhin Mezini, pas kallëzimit në Prokurori nga AlbControll,si nxitës të bllokimit të punës në Rinas.