Policia Rrugore vijon monitorimin e qarkullimit rrugor me makinën inteligjente. Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, janë ndëshkuar mbi 200 drejtues mjetesh në Bypass-in e Fierit.
Policia e Shtetit njofton se u ka pezulluar patentën 93 shoferëve si dhe i ka gjobitur me shuma deri në 30 mijë lekë për shpejtësi tej normash.
Gjithashtu janë gjobitur edhe 123 drejtues të tjerë mjetesh, por me masë administrative më të butë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Monitorim i pandërprerë i qarkullimit rrugor, duke përdorur makinën inteligjente dhe mjetet e tjera të pajisura me radarë dhe lexues automatikë të targave.
Përgjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, makina inteligjente ka monitoruar qarkullimin në qarkun e Fierit. Gjatë monitorimit të Bypass-it të Fierit, gjatë orëve të mbrëmjes dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, janë konstatuar mjete të cilët lëviznin me shpejtësi që varion nga 146 km/h deri në 172 km/h.
Makina inteligjente e Njësisë Operacionale të Policisë Rrugore dhe radarët e tjerë që ka në dispozicion Policia Rrugore kanë skanuar 93 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit nga 3 deri në 9 muaj, janë ndëshkuar me masë administrative nga 10.000 deri në 30.000 lekë të rinj, si dhe u janë zbritur nga 9 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.
Masat administrative u vendosën jo vetëm ndaj këtyre drejtuesve të mjeteve, por edhe ndaj 123 drejtuesve të tjerë mjetesh që makina inteligjente skanoi gjatë punës së saj, për shpejtësi mbi normat e lejuara, por pa sanksionin plotësues të pezullimit te lejes së drejtimit.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi puna e Policisë në këtë drejtim nuk është aksion i përkohshëm, por do të vijojë pandërprerë, për të arritur qëllimin madhor, atë të rritjes së parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.