Një 34-vjeçar u gjet mëngjesin e sotëm i pajetë shumë pranë banesës së tij në Vlorë, ndërkohë që ende nuk janë përcaktuar shkaqet e vdekjes.
Bëhet fjalë për shtetasin Kreshnik Dashi, i martuar dhe baba i një vajze. Gazetari Enrik Mehmeti përmes një postimi në ‘Facebook’ tregon se i riu punonte në një fabrikë këpucësh në Vlorë, ndërsa ngre hije dyshimi për vdekjen e tij.
Gazetari shkruan se edhe dy vajza që kanë punuar vitet e fundit në këtë fabrikë kanë humbur jetën të klasifikuara si “shkaqe natyrore”.
“Sot një 34-vjeçar, cili punonte në një fabrikë këpucësh në Vlorë u gjet i vdekur pranë hyrjes së banesës, me një shegë në dorë që do ia çonte vajzës së vogël e cila ngeli jetime. Vitet e fundit dhe dy vajza të reja që punonin në të njëjtën fabrikë humbën jetën të klasifikuara si “shkaqe natyrore”. Më e mira do të ishte që të kishte një analizë të duhur qoftë të autopsisë por edhe të atyre që punojnë në atë fabrikë, kështu hiqet çdo aludim nëse rastet kanë lidhje me njëri-tjetrin apo jo”, -shkruan gazetari Mehmeti.
Në njoftimin e policisë lidhur me rastin në fjalë thuhej se ka dyshime që vdekja 34-vjeçarit mund t’i ketë ardhur nga ndonjë arrest kardiak pasi ka patur probleme me zemrën.