Rreth gjashtë ditë pas atentatit me armë zjarri ndaj biznesmenit 57- vjeçar Demir Backa në Fier, të tjera detaje dalin në dritë.
Mbrëmjen e vrasjes Backa ishte në qendrën tregtare së bashku me të birin dhe me një person të afërt. Në momentin që kanë dalë nga lokali për t’u rikthyer në banesë, 57-vjeçari ka shkuar drejt automjetit të tij tip “Audi”, i parkuar pranë qendrës tregtare.
Ndërkohë, i biri dyshohet se ka shkuar në tualet pak momente më përpara, çka pasojat mund të ishin fatale.
ORGANIZIMI I ATENTATIT
Atentati ka qenë i mirorganizuar dhe në të kanë marrë pjesë direkt të paktën tre persona, dy prej të cilëve kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të viktimës.
Por burime nga Policia e Fierit bëjnë me dije se dyshohet se një person tjetër ka mbikëqyrur viktimën përpara krimit, duke sinjalizuar atentatorët që të qëllonin në drejtim të tij në momentin që ka hipur në makinë për t’u rikthyer në banesë.
Grupi i zjarrit ka qëlluar fillimisht në pjesën e përparme të automjetit tip “Audi”, duke menduar se Backa ishte ulur në sediljen përpara. Por kur kanë parë që ai nuk kishte hipur ende, njëri prej vrasësve ka zbritur nga automjeti tip “Benz”, duke e qëlluar me breshëri plumbash.
Të paktën 15 plumba e kanë kapur viktimën, i cili ndërroi jetë pak momente më vonë në spitalin e qytetit. Zona ku ndodhej i parkuar automjeti i viktimës dyshohet se nuk është e mbuluar nga kamerat e sigurisë së qendrës tregtare dhe kjo e bën më të vështirë të ketë një pamje të qartë të atentatit.
“MË QËLLO EDHE MUA”
Në momentin e atentatit, jo shumë larg vendit të ngjarjes ka qenë i pranishëm edhe i afërmi i 57-vjeçarit Backa. Ai mësohet, sipas burimeve, t’i ketë deklaruar atentatorit “më qëllo dhe mua”.
Burimet bëjnë me dije se autori i vrasjes, i pamaskuar dhe vetëm me një kapele në kokë, nuk e ka kthyer kokën pas, duke shkuar pranë “Benz”- it dhe më pas, bashkë me të tjerët, janë larguar nga vendi i ngjarjes.
“TRUKU” I ATENTATORËVE
Sipas burimeve, mësohet se automjeti me të cilën u larguan vrasësit e Demir Backës është nisur fillimisht në drejtim të Levanit, për të ndryshuar drejtim pak momente më vonë.
Kjo dyshohet se është bërë qëllimisht nga autorët për të mashtruar dëshmitarët okularë apo edhe forcat e rendit.
Ndryshe nga se ishin nisur fillimisht, ata kanë dalë te kryqëzimi i unazës dhe më pas janë nisur drejt fshatit Daullas. Pasi kanë kaluar disa parcela të mbjella kanë braktisur automjetin në një kanal duke i vënë zjarrin. Brenda mjetit u gjetën dy armë, përkatësisht një automatik dhe një pistoletë.


