Qyteti bregdetar i Sarandës me bukuritë e tij natyrore dhe monumentet e shumta arkeologjike po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj.
Gjatë ditës së sotme në Sarandë mbërriti kroçera “Costa Victoria” me flamur italian me 1457 turistë në bord.
“Kroçera erdhi nga porti Argostolion i Greqisë, ndërsa më pas do të shkoj në Kotor të Malit të Zi”, bëri të ditur për ATSH-në Porti i Sarandës.
Në bordin e kroçerës ka turistë nga Austia, Belgjika, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Irani, Italia, Spanja, Zvicra, Ekuadori, Polonia, etj.
Turistët e huaj do të vizitojnë pikat turistike të Sarandës si Butrintin, Ksamil, Syrin e kaltër, kalanë e Lëkurësit, Mesopotam, etj.
Gjatë javës që lamë pas, rreth 3 784 turistë të huaj mbërritën në qytetin e Sarandës, i konsideruar si një vendet më të bukura të rivierës shqiptare.
Qyteti i Sarandës njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal. Përveç diellit e plazhit, Saranda veçohet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.






