Pritet të nisë në 10:00 seanca maratonë në Kuvend e mocionit me debat me kryeministrin Edi Rama për çështjen “Mc Gonigal”. Mocioni u kërkua nga opozita, e cila në dy seancat e fundit u bë protagoniste jo për çështjet e diskutuara, por për zhurmën, tensionin apo bllokimin e foltores së Kuvendit.
Në në seancën e parafundit, deputeti Edmond Spaho i fryu bilbilit për orë të tëra, por veprimet e tij nuk kaluan pa ndëshkim nga Komisioni i Etikës. Krahas Spahos, u përjashtuan edhe Elda Hoti, Sorina Koti dhe Oerd Bylykbashi.
Kush është Mc Gonigal dhe për çfarë akuzohet
Charles McGonigal u bë një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së që u vendos nën akuzë në të gjithë historinë e agjencisë së famshme të hënën në darkë pasi hetuesit zbuluan se ka përfituar shuma të mëdha parash nga një oligark rus dhe nga një shqiptar, si dhe ka përfituar udhëtime me shpenzime të mbuluara në Tiranë, Kosovë dhe Bosnjë, shpenzime që duket se janë mbuluar nga një shqiptar
McGonigal përballet me dy akuza, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Në rastin e dytë, në akuzën në D.C., McGonigal akuzohet se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë.I pari referohet në aktakuzë si Personi A, një shqiptar i natyralizuar amerikan me banim në Nju Xhersi, i cili vihet në dukje se ka qenë punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare dekada më parë. Personi në fjalë i ka dhënë paratë McGonigalit, mes të tjerash që ky i fundit të hapë një hetim në SHBA në lidhje me një lobues që ka lobuar “për një parti të ndryshme me atë të kryeministrit shqiptar”.