Djali i vetëm 4-vjeçar i familjes Xhelo me banim në Golem të Kavajës, është mbytur aksidentalisht në pishinën e një vile paraditen e sotme. Ngjarja aksidentale është shënuar rreth orës 10 e 30 minuta, ndërsa vogëlushi i shpëtoi vëmendjes së gjyshes së tij, Dritës, e cila ishte punësuar në vilë për përgatitjet për sezonin turistik.
Pronari i vilës kishte thirrur gjyshen e të miturit dhe dy punëtorë të tjerë nga fshati për të bërë disa punime dhe rregullime para mbërritjes së pushuesve. Gjyshja e të miturit për pak minuta ka lënë në oborr të vilës nipin, ndërsa është ngjitur në katet e sipërme për të çuar një porosi, bënë me dije dëshmitarët okularë.
Sapo ka zbritur, ka thirrur në emër nipin Marildon, katërvjeçar, të cilin e kishte lënë duke luajtur, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ka pyetur dy punëtorët e tjerë dhe njëri prej tyre e ka gjetur në pishinën e vogël të vilës, pasi kishin kërkuar për disa minuta në ambientet e ndryshme. Idai Zeka një prej punëtorëve ishte i pari që nxori vogëlushin nga pishina dhe i dha ndihmën e parë. “Kishte gëlltitur shumë ujë, kur e gjetëm ishte pa jetë dhe e nisëm në spitalin e Durrësit”, tha ai.
Në spital, gjyshja e të miturit ka pësuar shok psikologjik, ashtu si edhe nëna e tij. Spitali i Durrësit ka vënë në dispozicion psikologët, ndërsa policia nisi hetimet. Për orë të tëra edhe në mungesë të babait të vogëlushit i cili gjendej me punë në qytetin e Sarandës, nëna dhe gjyshja janë duke marrë trajtim mjekësor në spitalin e Durrësit, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike që u goditën.
Paraprakisht bëhet me dije se ngjarja tragjike është klasifikuar aksidentale pasi janë marrë në pyetje dëshmitarët okularë që gjendeshin në vilë. Ndërkohë policia e Durrësit dhe ajo e Kavajës i kanë bërë apel të gjithë pushuesve që i drejtohen plazhit dhe hoteleve me pishinë të jenë të vëmendshëm me fëmijët, të mos i lënë asnjëherë pa mbikëqyrje, për të shmangur tragjedi të tilla.
Edhe në vitet e shkuara tragjedi të tilla të mbytjes së të miturve në pishina kanë ndodhur për shkaqe aksidentale, të mungesës së vëmendjes për pak minuta nga ana e të rriturve.
https://youtu.be/ZoLKReBBIuo