Me 83 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar sot projektligjin e ri për Policinë e Shtetit. Në një postim në Facebook menjëherë pas votimit, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari tha se amendimet e reja e forcojnë institucionin, pa prekur parimet mbi të cilat është ndërtuar.
Sipas Lamallari, parashikohet një organizim më i thjeshtë dhe funksional i Policisë së Shtetit, me zinxhir komandimi më të qartë dhe vendimmarrje më të shpejtë. Ndryshimet rikthejnë gjithashtu lidhjen mes gradës dhe funksionit drejtues, duke e bazuar karrierën në meritë dhe eksperiencë.
Ministri theksoi se ligji i ri synon t’i japë fund vakancave të zgjatura në drejtim, përmes shmangies së proceseve burokratike, si dhe parashikon rregulla më të drejta për administrimin e burimeve njerëzore, transferimet dhe sistemin disiplinor.
Një tjetër element i reformës, sipas tij, është ruajtja e kujtesës institucionale, duke e konsideruar përvojën e punonjësve të Policisë si kapital shtetëror.
REAGIMI
Ndryshime të rëndësishme në ligjin për Policinë e Shtetit
Sot u votuan në Kuvend amendimet e reja në ligjin për Policinë e Shtetit, një reformë që e forcon institucionin, pa prekur parimet mbi të cilat është ndërtuar.
Çfarë ndryshon:
Kapacitet drejtues më i fortë – organizim më i thjeshtë dhe funksional, me zinxhir komandimi të qartë e vendimmarrje të shpejtë
Sistemi i karrierës – rikthehet lidhja mes gradës dhe funksionit drejtues, mbi bazën e meritës dhe eksperiencës
Fund vakancave të zgjatura – institucion me drejtues të përgjegjshëm, pa procese burokratike që zgjasin dhe krijojnë vakum
Administrim më modern i burimeve njerëzore – rregulla më të drejta për transferimet dhe një sistem disiplinor më proporcional
Ruajtja e kujtesës institucionale – përvoja e fituar ndër vite trajtohet si kapital shtetëror, jo privilegj
Në kushtet e sfidave të reja të sigurisë dhe krimit transnacional, Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më afër qytetarëve.


