Jemi kaq të zhveshur në skenë. Nuk mund të shtiremi, duhet të jemi njerëzorë, të jemi të vërtetë. Të këndosh do të thotë t’i japësh shpirtit zë”.
Jaho e ka rrëfyer më herët prirjen e saj për të dhuruar emocione. Emocione rrëqethëse që publiku i ish-teatrit elizabetian “Opera Australia” po i përjeton me një Anna Bolenë shqiptare. Në skenën më të rëndësishme të operës në Australi sopranoja shqiptare është rikthyer 2 vite pasi interpretoi dashurinë e saj të parë operistike, “La Traviata”.
Shfaqja, do të jepet në shtëpinë e operës në Sidnej deri në 26 korrik dhe është konsideruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme operistike për këtë vit.
“Sopranoja shqiptare, pas debutit si Violeta, 2 vite më parë, dëshmoi edhe një herë cilësitë e saj me veprën e Donizetti-t. Një rol jashtëzakonisht sfidues që kërkon shfaqje dhe kontroll të plotë të vokalit, e që më herët është vënë në skenë nga emra si Maria Callas, Joan Sutherland, Beverly Sills dhe diva e mrekullueshme, Leyla Gencer”, shkruan australiania “Limelight”.
Revista vë në dukje aftësitë artistike e dramatike të këngëtares, që e bëjnë portretin e saj të jetë në lartësitë e kësaj vepre. Edhe pse zëri i saj, siç kritikët shkruajnë, në momente të rëndësishme si “Giudici, ad Anna” apo “Coppia iniqua” prek limitet, Jaho arrin ta kapërcejë me një portretizim të zërit që mbart bukuri dhe ndjenjë. Dhe e mbështetur pikërisht në këto pika të forta, “Limelight” thekson se sopranoja shqiptare mund të bëhet njësoj si Callas dhe divat e tjera ndërkombëtare të operës përfaqësuesja e Anës së dinastisë “Tudor”.
Por Ermonela, e ka rrëfyer vazhdimisht se performancat e saj, nuk mbështeten në një teknikë perfekte, pasi misioni i saj i vërtetë është të prekë botën e brendshme të spektatorit, ndjenjat e tij. Dhe ajo kur interpreton, edhe tragjedi të tilla si e mbretëreshës angleze Ana Bolena, futet tërësisht në petkat e dhimbjen e personazhit.
“Asnjëherë nuk jam shqetësuar që të arrij notat në perfeksion. Të kënduarit, mua më çon përherë në një tjetër dimension dhe sa herë që unë prek skenën, e përjetoj rolin, si dhe atë hapësirë. Është një proces i dhimbshëm, por i nevojshëm! Performancat e mia nuk janë asnjëherë perfekte, sepse unë nuk i jap prioritet perfeksionit. Emocioni dhe gëzimi nuk njohin intonim.
Kompozitorët japin notat dhe një strukturë të posaçme për të kënduar, por vija finale është padyshim të komunikosh ndjenjat. Nëse unë nuk e prek këtë hapësirë, nuk do të arrij asnjëherë të lidhem me njerëzit dhe publiku do ta ndiejë shtirjen. Edhe pse mund të kesh një zë të bukur me një teknikë mahnitëse, pas 10-15 minutash, këngëtarit do t’i duhet diçka tjetër, që të përmbushë pritshmëritë e publikut.
Është ndjeshmëria ajo që lidh njerëzit. Është e vërtetë, ndoshta në një moment do t’ju bëjë të ndiheni edhe të dobët, por është pikërisht kjo dobësi që do të shënjojë pikën tuaj të fortë, kur ta lini veten të lirë. Tek e fundit është kjo arsyeja pse ne shkojmë në teatër për të arritur katarsin. Mendja ime nuk i ka respektuar kurrë barrierat. Unë i besoj ëndrrës sime, zërit tim, qëllimeve që kam. Çdo gjë tjetër është sipërfaqësore”, është shprehur sopranoja në një intervistë të mëparshme në “Finalnotemagazine”.
ANNA BOLENA, KJO TRADHTARE BESNIKE
Ana Bolena ishte gruaja e dytë e Henrit VIII (1533- 1536), i cili i dashuruar me damën shoqëruese të bashkëshortes, ngriti një kurth dashakeqës, që do t’i kushtonte jetën mbretëreshës. Duke u përpjekur ta hedhë në krahët e Percy-t, dashurisë së saj të vjetër, para se të njihej me Henrin, ndërsa ajo e refuzon këtë të fundit, mbreti e akuzon për tradhti. Përpjekjet e Percy-t për ta shpëtuar mbretëreshën, për shkak të lojës së pistë të mbretit, e fundosin atë edhe më shumë, duke e çuar në një gjendje çmendurie.
NË SKENËN ME 10.9 MILIONË VIZITORË NË VIT
“Sydney Opera House” është shtuar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Për të ndërtuar këtë skenë u deshën 14 jetë dhe 10,000 punëtorë. Nëse puna për teatrin nisi në ’59- n, Mbretëresha Elizabeta II (pasardhëse e Anna Bolena) e hapi në 20 tetor të vitit 1973. Kjo skenë vizitohet nga më shumë se 10. 9 milionë çdo vit.