Pasditen e së enjtes në Sarandë u zhvillua takimi për turizmin ku merrnin pjesë operatorë turistikë të Sarandës e Ksamilit, kryetarë të bashkive, Sarandë, Delvinë, Konispol dhe Finiq. I pranishëm në takim ministri i Turizmit Blendi Klosi kërkoi nga strukturat hoteliere një menaxhim të plazheve dhe pastrimin e tyre.
“Do ta gjejmë një gjuhë të përbashkët. Shqetësimi është i të gjithëve. Ne na shqetëson shumë sezoni turistik 2020. Ne na shqetëson shumë se sa do të kemi mundësi, struktura hoteliere, struktura të menaxhimit turizmit dhe pastaj pushteti lokal dhe ne pushteti qëndror. Edhe biseda sot ka të bëjë me mënyrën e re të menaxhimit të plazheve, shkon në problematikën që kanë hotelierët shqiptarë” -tha mes të tjerave në fjalën e tij ministri Klosi.
Për deputetin e PS-së, Alket Hyseni e rëndësishme gjatë këtij sezoni mbetet respektimi i kushteve, ndërsa garantoi mbështetjen e qeverisë ndaj këtij sektori.
“Meraku juaj për këtë sezon turistik është i madh, u është drejtuar deputeti Hyseni pjesëmarrësve në takim. Është për të falënderuar iniciativa për mledhjen e Komitatit Rajonal të Turizmit këtu në Sarandë. Kjo tregon për vëmendjen që ka Qeveria ndaj Sarandës, kësaj mbretëreshe të turizmit. Kushtet i dimë të gjithë. Do t’i përshtatemi kësaj situate për të vjelë më të mirën e mundshme”, u shpreh deputeti Hyseni. Në përfundim të takimit u shpërndanë 70 çertifikata për pronarë hotelesh në Sarandë e Ksamil.


