Nënkryetari i delegacionit nga opozita, Genc Pollo, ka kërkuar këtë të hënë në mbledhjen e Komisionit të Përbashkët Ndërparlamentar Shqipëri-BE në Bruksel heqjen e socialistit Taulant Balla nga roli i drejtuesit të Komisionit.
Ai theksoi në emër të opozitës që Komisioni nuk duhet të drejtohet nga Balla, pasi ky i fundit është i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar.
“Është e padenjë që Balla të jetë bashkëkryetar. Është e padenjë të kemi një padrino të baronit të drogës në presidium. Turp për maxhorancën në Tiranë që nuk e ndërroi! Turp për ne të gjithë, po e toleruam edhe në Bruksel,” u shpreh Pollo.
Ai tha se eurodeputetët duhet të kërkojnë shpjegime zyrtare për skandalet e Ballës.
“Balla, pasardhës i denjë i Tahirit në këtë Komision. Si Tahiri të largohet! Dhe do të largohet. Kjo është e fundit mbledhje e parlamentit ku Balla është bashkëdrejtues”, shtoi nënkryetari i delegacionit opozitar.
Drejtuesja e komisionit e kritikoi Pollon për qëndrimin e shfaqur, ndërsa përfaqësuesit e opozitës u larguan nga salla.


