Mbi 300 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur. Është ky bilanci tragjik i sulmit më vdekjeprurës në historinë e Egjiptit modern, që goditi gadishullin e Sinait të premten.
Shënjestër e sulmit me bombë e armë zjarri, u bë xhamia Al Rawdah në Bir Al Abed, pikërisht kur po zhvillohej falja e të premtes. Sipas dëshmitarëve, dhjetëra agresorë që mbërritën me automjete, bombarduan xhaminë e mbushur plot me njerëz, para se të hapnin zjarr ndaj besimtarëve.
Imazhet nga vendi i ngjarjes ishin rrëqethëse dhe treguan radhë të tëra me trupa të përgjakur brenda vendit të shenjtë. Spitalet u dyndën nga personat e plagosur. Presidenti egjiptian Abdul Fatah Al Sisi u zotua se do t’i përgjigjej me forcë brutale masakrës, pas bisedimeve me zyrtarë të sigurisë.
Ai shpalli 3 ditë zije kombëtare. Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përsipër autorësinë e sulmit, por militantë që kanë lidhje me Shtetin Islamik, kanë qenë përgjegjës për një sërë sulmesh që kanë goditur gadishullin.
I gjithë komuniteti ndërkombëtar, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe kryeministren britanike Theresa May, dënuan me termat më të ashpër sulmin.
Por përse u sulmua pikërisht kjo xhami?
Për vite të tëra, një grup rebelësh ka terrorizuar rajonin e Sinai-t. Ajo vret policë, ushtarë dhe të krishterë. Dhe tani për herë të parë ka vrarë edhe myslimanë.
Sipas mediave egjiptiane, kjo xhami ishte një pikë e rëndësishme për ndjekësit e sufizmit. Madje edhe në kohën e sulmit të përgjakshëm, aty po faleshin besimtarët sufi. Sufizmi është një degë e besimit mysliman, e karakterizuar nga përmbajtje mistike. Për shumë konservatorë myslimanë, sufitë konsiderohen si jobesimtarë. Edhe Shteti Islamik e hedh poshtë besimin e tyre.
Sulmi ndaj xhamisë mund të jetë vepër e ISIS. Përpara pak muajsh, militantët e ISIS publikuan një video duke u prerë kokën dy besimtarëve sufi. Ata akuzoheshin për kryerjen e magjive.





