65 shqiptarë u kthyen sot në atdhe në kuadër të operacionit humanitar të riatdhesimit të shqiptarëve që janë bllokuar në vendet europiane për shkak të koronavirusit.
Sot në aeroportin Nënë Tereza në Rinas u kthye me “Air Albania” edhe një fëmijë.
Koronavirusi ka tjetërsuar edhe takimin tradicional në aeroporte. Munguan përqafimet edhe puthjet, të cilët tashmë i janë përshtatur situatës së re të krijuar nga COVID-19.
Shqiptarët iu nënshtruan kontrolleve të rrepta mjekësore të autoriteteve, ndërsa do të duhet të qëndrojnë 14 ditë në vetëkarantinim. Emrat e tyre u dërgohen policisë për të kontrolluar nëse e zbatojnë të qëndruarit në shtëpi për 2 javë.
Të riatdhesuarit do të kthehen në shtëpitë e tyre nga familjarët të cilët kanë marrë autorizim nga policia e shtetit për të lëvizur me automjet përtej orarit të lejuar 13:00, e po ashtu edhe për të udhëtuar në akset ndërqytetëse.
Ky operacion për rikthimin e shqiptarëve do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, referuar një liste për të cilën kryeministri Edi Rama ka deklaruar se është e mbyllur.


