Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të zhvillojnë këtë të enjte një samit në Bruksel, ku do të diskutohet për më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën. Pjesëmarrës në takim do të jetë dhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.
stoltenberg, kuleba
Në një deklaratë të përbashkët për media me Jens Stoltenberg në nisje të samitit, Kuleba tha: “Axhenda ime është shumë e thjeshtë. Ka vetëm tre artikuj në të – armë, armë dhe armë”.
“U bëj thirrje të gjithë aleatëve që të lënë mënjanë hezitimet e tyre, hezitimin e tyre për t’i ofruar Ukrainës gjithçka që i nevojitet. Sepse sado e çuditshme të duket, por sot armët i shërbejnë qëllimit të paqes”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, Stoltenberg shtoi:
“Jam i sigurt se do të adresojmë nevojën për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, armë antitank, armë më të lehta, por edhe më të rënda dhe shumë lloje të ndryshme mbështetjeje për Ukrainën”.
“NATO ka gjithashtu një përgjegjësi që natyrisht të mbrojë të gjithë aleatët. Pra, që nga pushtimi i Ukrainës, ne kemi rritur praninë tonë ushtarake në pjesën lindore të Aleancës”, tha Stoltenberg.
“Dhe ne po sigurohemi që të mos ketë vend për keqkuptime, llogaritje të gabuara në Moskë për gadishmërinë tonë për të mbrojtur të gjithë aleatët”, shtoi ai.
Kujtojmë se agresioni rus ndaj Ukrainës, filloi më 24 shkurt, duke shkaktuar një reagim të ashpër ndërkombëtar, me BE-në, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, të cilat filluan zbatimin e sanksioneve të ashpra financiare ndaj Moskës.


