Reth 27 mijë maturantë do t’i nënshtrohen këtë të martë provimit të dytë të maturës shtetërore atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Nxënësit duhet të paraqiten në ambientet e shkollës në orën 08:30 ndërsa provimi nis në 10:00 dhe përfundon në 12:30.
Janë ngritur 145 qendra testimi sipas standardeve, ndërsa 640 mësues janë përfshirë në procesin e vlerësimit.
Në këtë ditë të rëndësishme për nxënësit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, i ka uruar suksese të gjithë maturantëve.
“Suksese maturantëve në mbarë vendin, të cilët sot japin provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, duke testuar njohuritë e tyre për gjuhën dhe trashëgiminë tonë letrare”, shkroi Manastirliu në rrjetet sociale.
Rregulla gjatë provimit:
Nxënësit duhet të kenë me vete mjet identifikimi (kartë ID ose pasaportë);
Gjatë provimit nxënësit duhet të kenë veshje të rregullt, uniforma e shkollës;
Gjatë kosës që zhvillohet provimi ndalohen rreptësisht: telefonat dhe ora smart;
Nxënësit duhet të përdorin stilolaps me një ngjyrë dhe kurrë më shumë se një ngjyrë në plotësimin e testit;
Firmosni kur merrni dhe dorëzoni testin;
Kontrolloni testin për pasaktësi ose paqartësi në lexim;
Nuk lejohet largimi para 12:30;
Sjellje korrekte dhe vëmendje gjatë testit.
Provimi i radhës është ai i Matematikës më 17 qershor, ndërsa Provimi me Zgjedhje më 24 qershor.
Provimi me zgjedhje ofron një gamë të gjerë lëndësh, përfshirë: Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji dhe Ekonomia dhe Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.
Për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë shumë më herët në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur.


