Specialistët e Interpol Tirana kanë ekstraduar nga Greqia në Shqipëri shtetasi E. Sh, 31 vjeç dhe F. Xh., 69 vjeçe.
Shtetasi E. Sh, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, në vitin 2015, e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Më datë 04.02.2014 ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë kanë transportuar një sasi lënde narkotike nga Tepelena, me qëllim shitje në qytetet Korçë dhe Pogradec. Shtetasi E.Sh, është arrestuar më datë 21.06.2018 nga autoritetet policore të Greqi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
Shtetasja F. XH. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2015, e ka dënuar këtë shtetase me 6 vjet e 8 muaj burg, për veprën penale “Mashtrimi”.
Më datë 21.12.2012 në Tiranë, shtetasja F. Xh. nëpërmjet mashtrimit ka shitur banesën e një shtetaseje tek një person i tretë. Shtetasja F. XH. është arrestuar më datë 02.11.2018 nga autoritetet policore të Greqi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.


