Një vit nga vrasja mafioze e dy vëllezërve Brahim dhe Astrit Bilali me 21 plumba, brenda në banesën e tij në Shkodër, prokuroria e këtij qyteti, ka mbyllur hetimet, duke dërguar dosjen me tre të pandehur për gjykim në gjykatë. Arsen Stojku, sipas akuzës është personi që së bashku dhe me individë të tjerë ende të paidentifikuar, ka qëlluar me breshëri automatiku, duke vrarë në oborrin e shtëpisë, dy vëllezërit Bilali. Identifikimi i Stojkut, është kryer gjatë një analize ADN-je, ku është kryer krahasimi i një profile gjenetik të gjetur në një bidon ujë me atë të marrë nga mostra e pështymës së Arsen Stujkut. Ndaj Stojkut është ngritur akuza e “Vrasjes në rrethana cilësuese” kundër dy ose më shumë personave si dhe “Mbajtja pa lejë e armëve luftarake”.
Mes personave që janë marrë të pandehur për këtë ngjarje janë dhe Myslim Rama dhe Denis Brahimi nga zona e Vau i Dejës në Shkodër. Ndërkohë Ibrahim Lici, personi të cilin Policia e Shkodrës e shpalli në kërkim, nuk ka asnjë akuzë për këtë ngjarje të rëndë. Autori kryesor i këtij krimi të rëndë në Shkodër, i dyshuari Arsen Stojku, në ikje e sipër besohet se është parë nga një banor i zonës, me inicialet S.B, i cili ka treguar në polici të dhëna të vlefshme mbi veprimet që kanë kryer autorët e vrasjes dhe largimin e tyre me një automjet tip “Golf 4” me ngjyrë të zezë. Ky person është parë pikërisht kur po digjnin makinën, që autorët kishin përdorur në vrasje. Mjeti tip “Benz-Mercedes”, i gjendur gjysëm i djegur nga policia rezultoi i vjedhur në Shkodër.
Por personat që e kishin përdorur në krim, para ngjarjes i ndryshuan ngjyrën nga të bardhë në ngjyrë blu. Ndërsa automjeti që shërbeu për largimin e autorëve të krimit nga vendi i djegies së makinës, ishte marrë me qira në Vaun e Dejës dhe më konkretisht tek personi Prengë Përdeda. Personi që ka marë me qëra mjetin tip “Golf 4”, gjashtë ditë para vrasjes quhet Denis Brahimi, që më pas ja ka dhënë në përdorim, të arrestuarit Arsen Stojku. Ky person sipas prokurorisë para vrasjes dhe pas vrasjes, ka pranuar në polici, se kishte qënë disa herë në shtëpinë e Mustafa Licit, ku është takuar me anëtarë të familjes Lici. Stojku rezulton të jetë djalë teze me Mustafa, Sokol dhe të ndjerin Fatbardh Lici, dhe ka shkuar në banesën e tyre si kushëri. Vizita ka ndodhur 10 ditë para vrasjes së dy vllezërve dhe transportues i Stojkut, ka qënë i arrestuari tjetër Myslim Rama.
Ky i fundit vetë ka qëndruar jashtë ndërsa Arseni është futur brenda. Ka pritur për disa kohë Arsenin dhe më pas i ka rënë portës, ku te dera ka dalë Ibrahim Lici, duke i thënë të hynte brenda, por Myslimi nuk ka pranuar duke i thënë që t’i thoshte Arsenit të mos vonohej pasi kishte punë dhe duhet të largohej. Prokuroria dyshon se pikërtisht në këtë takim është përcaktuar dhe plani se si duhet të ekzekutoheshin dy vëllezërit Bilali në Shkodër. Në dosjen e prokurorisë thuhet se në datën 30 mars 2019 është qëlluar me 21 plumba automatiku, në drejtim të vëllezërve Bilali. Megjithëse Astrit Bilali, ka qëlluar disa herë me një pistoletë tip “Zastava” që mbante me vete, sërisht nuk ka mundur ti ndalojë autorët, të cilët i kanë bërë shoshë dy vëllezërit Bilali. Gjatë këqyrjes së kufomave, rezulton se në trupin e viktimës Brahim Bilali, konstatohen 11 plagë hyrëse dhe dalëse të shkaktuara nga armë zjarri, ndërsa në trupin e viktimës Astrit Bilali konstatohen 10 plagë hyrëse dhe dalëse të shkaktuara nga armë zjarri.
Një ditë pas atentatit në datën 31 mars 2019 është pyetur personi me inicialet S.B, i cili deklaron se në datën 30 mars 2019, rreth orës 09:30, ka qenë duke punuar në oborrin e banesës së tij në lagjen “Guerile” dhe afër shtëpisë së tij është ndaluar një automjet i tipit “Mercedes Benz”, me targë nr. 369 (kaq mban mend), dhe nga dera e shoferit ka zbritur një person, i gjatë rreth 180 cm, i dobët, i veshur me xhakovento të zezë me kapuç, të cilin e kishte në kokë, i cili nga prapa makinës ka marrë një shishe dhe ka filluar të lyente automjetin.
Më pas është afruar një person tjetër, i cili ishte në një makinë të zezë të parkuar në një distancë rreth 15 metra nga “Benzi”, person i cili ishte jo shumë i gjatë, me trup mesatar, i veshur me xhakovento me ngjyrë të zezë, me kapuç, i cili është afruar dhe i ka vënë flakën automjetit tip “Mercedes Benz” dhe pastaj të dy së bashku kanë hipur në automjetin me ngjyrë të zezë dhe duke xhiruar gomat janë futur në kthesën e parë majtas, kanë ecur rreth 50 metra dhe janë kthyer përsëri majtas dhe pastaj nuk i ka parë më, pasi nuk ka pasur fushëpamje. Sipas deklaruesit, personi që ka djegur makinën, në një moment kur po shkonte drejt saj i ka rënë pak kapuçi dhe aty deklaruesi ka konstatuar se ky shtetas ka pasur mjekër në formë të rrumbullakët, i dobët në fytyrë, dhe ishte me flokë.