Paraditen e djeshme, ka dalë para Gjykatës i riu që i mori jetën të njohurit të tij me një goditje fatale thike. Ai u ul në bankën e të akuzuarve në Gjykatë duke thënë vetëm pak fjalë që më shumë lidheshin me pendesën e tij se sa me shkaqet, të cilat e çuan në atë akt të rëndë.
“Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur. Nuk mbaj mend asgjë çfarë ka ndodhur dhe jam shumë i tronditur e i penduar”. Kjo është ajo që ka mundur të thotë teksa Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për ta lënë në burg 37-vjeçarin, por pa hedhur dritë ende mbi sherrin që solli vrasjen e 60-vjeçarit Ilir Kapo.
Prokuroria ka mundur të dokumentojë një mori dëshmish nga vendi i ngjarjes, po ashtu mësohet se ka marrë edhe dëshmitë e familjes së autorit të krimit, ndërkohë ende nuk është siguruar dëshmi e familjarëve të të ndjerit.
Ngjarja ende nuk është zbardhur plotësisht për sa iu përket shkaqeve, pasi edhe vetë Dhimitri nuk ka mundur të sqarojë dhe as shpjegojë se çfarë ka ndodhur më herët mes tyre që kanë nisur atë përplasje verbale në lokalin e lagjes.
Ajo që është e ditur tashmë është fakti se si viktima edhe autori kanë qenë në gjendje të dehur në momentin e përplasjes. Madje sherri mes tyre në lokal, nga njëra tavolinë në tjetrën ka zgjatur për minuta të tërë, derisa ata kanë vendosur të dalin përjashta lokalit dhe të përleshen fillimisht me grushte.
Por si duket Iliri e ka goditur i pari të riun duke i dhënë epërsi në dhunimin e tij, ndërkohë që asnjë nga të pranishmit nuk ka hyrë t‘i ndante dy burrat që po rriheshin brutalisht dhe që dihej se ishin të dy nën efektet e pijeve alkoolike.
Pas përleshjes në oborrin-rrugë të lokalit, Iliri ka tentuar t’i largohet Olgerit, por ai ka nxjerrë një thikë nga xhepi, dëshmitarët pretendua për policinë se e mbante në xhepin e tutave sportive që kishte veshur, duke e goditur nga pas në pjesën e shpinës, goditje që ka rezultuar fatale duke i marrë jetën në vend 60- vjeçarit, baba të dy fëmijëve.