Duket se Policia greke i ka paraprirë një tjetër ngjarjeje makabre me profilin që publikoi dy ditë më parë për atë që tashmë konsiderohet si monstra e Andravidës.
Ata prej ditësh po hetojnë një ngjarje tjetër tronditëse që lidhet me zhdukjen e dy personave që kishin punuar dhe banuar në atë zonë. Policia greke prej më shumë se tre vjetësh ka marrë informacion që dy punëtorë janë zhdukur pa gjurmë në zonën e Ilias, por pas disa kohe kërkimesh, ata pushuan së gjurmuari me idenë se ata mund të ishin larguar në një vend tjetër. Kanë qenë të dhënat e fqinjëve të vrasësit të familjes shqiptare që kanë hedhur dyshime që mund të ishte ai personi që ka marrë pjesë në zhdukjen e tyre, duke hequr paralele me ngjarjen e fundit ku ai tentoi të fshihte trupat e pajetë të viktimave të veta. Policia greke është tejet e kujdesshme në nxjerrje informacioni në lidhje me këtë ngjarje, ndërkohë që përgjatë dy ditëve të fundit mediat vendase janë marrë gjatë me figurën mizore dhe brutale të njeriut që jetonte në Andravida dhe që para disa ditësh tronditi mbarë opinionin publik me masakrën në familjen shqiptare. Edhe pse ai ende nuk ka dhënë një version përfundimtar se përse i vrarë shqiptarët, Policia dhe Prokuroria kanë të qartë tashmë se para tyre kanë një person me precedentë të rrezikshëm kriminal.
DYSHIMI
Ekspertë kriminalistë të Policisë greke, kanë hapur një mori dosjesh në lidhje me ngjarje të rënda që janë shënuar në zonën e Ilias. Pasi kanë studiuar tipologjinë e krimit të tmerrshëm të kryer mbi familjen shqiptare nga ana e Sakis Varvaresos, ata janë kthyer të marrin në pyetjet edhe dy ish-gratë e tij, fëmijët dhe një mori banorësh të zonës, të cilët e kanë njohur aftësinë e tij prej “killer”-i. Por, ajo që është më e rëndë sipas mediave greke, është dyshimi që lidhet me zhdukjen e dy personave tri vite më parë. Për këtë ngjarje bëhet me dije se Policia greke po bëhet gati t’i kërkojë ndihmë EUROPOLit lidhur me vrasësin e familjes shqiptare në Andravida, Sakis Varvaresos, 57 vjeç.
Media greke ka thënë se bëhet fjalë për zhdukjen në vitin 2019 të dy shtetasve, një shqiptari dhe një bullgari, të cilët ishin punëtorë krahu në zonë. Këta të fundit, sipas të dhënave të para hetimore, ishin zënë me Varvaresos dhe dy ditë më pas ishin zhdukur pa lënë gjurmë.
Sipas të dhënave që ka dokumentuar Policia greke, ngjarja ndodhi asokohe në një kafene jashtë Andravidas, ku vrasësi i familjes shqiptare i ofendoi ata me fjalë raciste për prejardhjen e tyre dhe më pas i kërcënoi me armë. Dy ditë më pas, greku iu tha banorëve të zonës se dy emigrantët nuk erdhën më në punë. Madje sipas tij, ata kishin ikur pa i kërkuar as rrogën. Policia greke bëhet me dije se do të kërkojë ndihmën e EUROPOL-it lidhur me vendndodhjen e dy emigrantëve për të hetuar mbi zhdukjen e tyre prej asaj dite, pasi ka dyshime se 57-vjeçari mund t’i ketë vrarë dhe ata. Policia dyshon se emigrantët jo vetëm të jenë vrarë po madje edhe të jenë zhdukur, duke iu referuar edhe tentativës më të fundit ku pas vrasjes së familjes shqiptare, ai tentoi t’i merrte trupat në një makinë dhe t’i zhdukte. Ai ende nuk ka folur në lidhje me vendin ku kishte vendosur t’i çonte, por grupi hetimor po vazhdon betejën me të për të mësuar edhe krime të tjera që mund të jenë kryer prej tij.
REVOLTOHEN BANORËT: AI GËNJEN!
Banorët e lagjes në të cilën jetonte greku vrasës dhe familja shqiptare kanë kërkuar të hidhet dritë mbi të vërtetën e asaj ngjarjeje, pasi fshati i tyre ishte njollosur përgjithmonë nga ai krim barbar. Ata kanë mohuar që familja shqiptare ta kishte ngacmuar ndonjëherë nënën e tij siç ai pretendon e madje iu kanë thënë mediave lokale se fëmijët e vegjël që vrau ai kanë qëndruar edhe në kopshtin e saj me të.
Madje Maria edhe i kishte bërë punë shumë herë fshehurazi gruas së moshuar dhe se kjo e fundit kurrë nuk e kishte thënë një fjalë për atë familje. Sipas të dhënave që vijnë nga Greqia, bëhet me dije se ka folur edhe daja e njërës prej grave që ka qenë e martuar me autorin e masakrës. Ai iu ka thënë mediave që e rrihte mbesën time edhe në rrugë dhe kudo, derisa ajo u nda prej tij, ndërkohë që Policia dhe Prokuroria greke e kanë ditur se ai ka qenë dy herë i akuzuar për dy plagosje të rënda me dashje, njëherë kur ka qenë adoleshent dhe një herë tjetër në vitin 2013 kur ka qëlluar me 7 plumba një person. Banorët e Andravidës i kërkojnë Policisë dhe shtetit ta zbardhë ngjarjen e rëndë, pasi zona e tyre u stigmatizua përgjithmonë dhe se në zonë të gjithë thonë versionin e vet. Ata kanë hedhur poshtë pistën se monstra i ka vrarë ngaqë çifti i shqiptarëve i kishin prerë ujin dhe dritat. E kanë hedhur poshtë këtë fakt, pasi ata i kanë njohur mirë të dy palët dhe se gruaja, pra nëna e autorit, kurrë nuk iu është ankuar për ndonjë padrejtësi që i është bërë prej tyre.
Banorët thonë se ai gënjen edhe për faktin që thotë se ka bërë sherr më parë me Armandon. Fqinjët nuk kanë dëgjuar asnjë zënkë dhe mënyra se si i ka vrarë, sipas tyre lë të kuptojë se dy viktimat nuk kanë bërë fare rezistencë, çka do të thotë se kanë qenë në gjumë. Këtij versioni në fakt i ka qëndruar edhe Prokuroria dhe Policia pas dëshmisë së fundit të marrë prej tij, para tri ditësh kur ai nxori pretendimin se e ëma e kishte telefonuar se i kishin prerë ujin dhe energjinë. Ai i ka thënë grupit hetimor se unë shkova dhe bëra sherr me Armandon, ai më ra dhe më pas unë shkova në shtëpi dhe mora armën. Por, Prokuroria nuk e ka besuar versionin e tij duke njohur skenën e krimit, ku thuhet se burrë e grua u vranë në dhomën e gjumit dhe sasia më e madhe e gjakut është gjetur në krevat. Armando është vrarë me dy plumba, ndërsa për t’i marrë jetën Marias, autori ka përdorur një jastëk.
Autori i masakrës së katërfishtë luan me dëshmitë në hetuesi
Që pas daljes për masë në Gjykatën e Patras, Sakis Varvaresos është dërguar në Burgun e Koridhalos në Athinë. Ai vijon të merret në pyetje thuajse çdo ditë nga ana e grupit hetimor, pasi janë përballur me një vrasës mizor dhe të pamëshirshëm. Policia dhe Prokuroria pretendojnë se ai veç të tjerash është edhe një racist i çmendur, ndonëse aktet e para kriminale i ka bërë kundër banorëve të zonës. Ndaj tij janë ngritur një mori akuzash të tjera si dyshime, ndërkohë që po punohet në disa drejtime për të mësuar se kush janë dy personat që janë zhdukur që në vitin 2019 dhe që kishin qenë punëtorë sezonalë te greku monstër. Por, Prokuroria ende nuk ka mundur të fiksojë nga dëshmia e tij as një shkak konkret që e ka çuar atë në vrasjen e katërfishtë të ndodhur në Andravida. Ata dyshojnë se krimi nuk ka lidhje me asnjërën nga pistat e dala prej dëshmive të tij që lidhen me pagesat e qirasë dhe të sherreve që çifti ka pasur me nënën e tij. Prokuroria ka mundur të dokumentojë me dhjetëra dëshmi që e hedhin poshtë zënkën, ndërkohë që ende nuk është mësuar se si janë vrarë dy fëmijë. Policia ka kërkuar të sekuestrohen telefonat celularë të dy viktimave dhe të autorit të vrasjes për të parë bisedat mes tyre, nëse qëndrojnë apo se mos mes tyre ka pasur dhe ndonjë lidhje tjetër. Hetimet vazhdojnë, ndërkohë që askush nuk di të thotë se si mundi të vriste dy fëmijët e mitur, përkatësisht 1 vjeç e gjysmë dhe dy vjeç e gjysmë!


