Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “The Economist”, ka folur rreth mospajtimeve që ka pasur me këshilltarin e Donald Trump, Richard Grenell, për modalitetet e heqjes së taksës dhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Ai ka deklaruar se me Grenellkanë rënë dakort, pasi duhet pasur një marrëveshje me Serbinë dhe se duhet një energji e re.
“Më akuzojnë se jam anti-amerikan, sepse në këtë pikë nuk u pajtova me Grenellin. U pajtova me Grenellin se marrëveshja me Serbinë është e domosdoshme dhe që energjia e re është e nevojshme, por më pas kur erdhi puna tek përmbajtja e marrëveshjes ne i patëm këto dallimet. Nuk e kam konsideruar që ky dallim do të jetë i rëndësisë së madhe, por ashtu doli”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur edhe për presidentin Hashim Thaçi, për të cilin thotë se çdo ditë e më shumë është një politikan në vend të një figure ceremonial siç duhet të jetë një president në një Republikë parlamentare.
Më tej Kurti ka thënë se Thaçi po sillet si një prej liderëve kryesor të opozitës.
“Po sillet për çdo ditë si njëri prej liderëve të opozitarëve. Pra çdo ditë gjen arsye për të më sulmuar mua”, ka përfunduar Kurti.


