Në postimin e parë që bëri në twitter pak minuta pas arritjes së marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës në tryezën e Këshillit Politik për ligjin e ri zgjedhor, Kryeministri Edi Rama nuk harroi që të ironizojë edhe sipas mënyrës së tij: Ah, po, mbaroi edhe revolucioni!- tha ai.
E po ti rikthehesh në retrospektivë të gjitha deklaratave të liderëve të opozitës nga çadra e 2017, pas shkarkimit të Kryeprokurorit Adriatik Llalla, djegies së mandateve të deputetëve të tyre, bojkotit dhe çdrekretimit të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, kryefjala është “REVOLUCIONI”.
Sali Berisha ka mbajtur në dorë flamurin e revolucionit. Një në dy postimet e tij në të famshmin “qytetari digjital” ai ka patur si refren “revolucionin”. Lulzim Basha pasi kishte predikuar me zë të çjerrë nëpër protesta “revolucionin”, I fuste për shpëlarje në fund një të kënduar edhe himnit kombëtar në oborrin e SHQUP, përpara shpërndarjes së militantëve që të bëheshin gati për protestën e radhës.
“Vetëm revolucioni është zgjidhje në këtë vend. Ka një urrejtje për Edi Ramën, që ka kufi vetëm qiellin dhe kjo urrejtje duhet kapitalizuar me rrëzimin sa më shpejt të Edi Ramës dhe të këtij narkokabineti, ky është mendimi im”, ka deklaruar Berisha. (LINKU)
Monika Kryemadhi ka qenë borizania e revolucionit, të cilin ajo e ka shpjeguar deri në detaj, në të gjitha etapat e evoluimit të tij në të ardhmem. E ajo fillonte që me hedhien e Edi Ramës dhe qeverisë së tij në Lanë. Për të vijuar në Surrel. Për të vazhduar nëpër të gjithë Shqipërinë. Për të ndaluar përpara godinës së Teatrit Kombëtar, e për të përfunduar në fund me kafshimin e veshit të tij.
“Jemi të vendosur më shumë se kurrë për të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve. Jemi të vendosur për të kthyer Shqipërinë në shtëpinë e shqiptarëve. Do e vendosim aksionin politik aty ku duhet dhe t’u kthejmë dinjitetin shqiptarëve. Nuk ka më pritje, bëhuni gati për revolucion, protesta, revolta koncerte, çfarë të doni ju. Nuk ka më kohë për të pritur”, deklaroi Kryemadhi. (LINKU)
Ndërsa Ilir Meta i ka vënë vulën në fund, duke mos e fshehur se megjithëse qëndron në zyrën e përfaqësuesit të unitetit të popullit shqiptar, ai është përfundimisht vetëm përfaqësuesi i unitetit të “popullit” opozitar.
“Në qoftë se ka ardhur koha për revolucion, revolucion. Në qoftë se nuk funksionojnë institucionet, në qoftë se nuk funksionon SPAK-u, revolucion do vejë kjo punë. Po të jetë nevoja për forcë Ilir Meta thërret 1000 veta si vetja e vetë. Ilir Meta do të dëgjojë zëri e popullit”,- deklaroi ai në një emion televiziv. (LINKU)
Ironia e të gjitha këtyre thirrjeve qëndronte në faktin se ato binin në kundërshtim me logjikën më elementare të mënyrës sesi bëhen, nga kush bëhen dhe kundër kujt drejtohen revolucionet. Historian a mëson se revolucionet nuk janë bërë nga skllavopronarët por nga skllevërit. Jo nga lart poshtë, por nga poshtë lart. Nga ata që nuk kanë se çhumbin tjetër përveçse “prangave” duke u detyruar që të rrëzojnë elitat drejtuese të vendit.
Revolucionet nuk bëhen nga një pjesë e elitës politike kundër pjesës tjetër. Nga Presidenti, ish Presidenti, ish Kryeministri dhe ish qeveritarët, ish ministrant e ish drejtorët, ish doganierët e ish tatimorët e papunë sot, që kërkojnë të rrëzojnë këta që janë sot në pushtet për tu rikthyer ata vetë nesër. Revolucioni bëhet nga qytetarët. Nëse ai ndodh, ata që e bëjnë atë nuk kanë nevojë që tu caktojë opozita orën, vendin, ditën dhe parrullat.
Ndaj kauza e revolucionit si shumë kauza të tjera të kësaj periudhe ka qenë “fake”. Si një gjë komplet “fake” ajo as nuk ngjiti, as nuk u ngjiz dhe as nuk ka për të ndodhur ndonjëherë.
Sepse revolucionet e vërteta nuk ndodhin se duan disa politikanë që të ikin kundërshtarët e tyre nga pushteti, e të rikthehen ata sërisht në pushtet. Ndaj, me firmosjen e marrëveshjes për reformën elektorale, “mbaroi edhe revolucioni”.
Alpenews.al