Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, deklaroi këtë të hënë se miratimi i marrëveshjes për emrin e ri të Maqedonisë është e vetmja mundësi për pajtimin në Ballkanin Perëndimor dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë mes Shkupit dhe Athinës.
“Shpresoj që të gjithë aktorët politikë ta kuptojnë rëndësinë dhe të garantojnë një të ardhme të vendit në BE, një të ardhme që i gjithë vendi prej vitesh shpreson se do të bëhet realitet”, tha Mogherini.
“Kjo është një marrëveshje historike, e përshëndetur nga e gjithë Europa dhe mund të sjellë ndryshime të mëdha në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ajo.
Marrëveshja u nënshkrua qershorin e kaluar nga kryeministri grek Aleksis Cipras dhe ai maqedonas, Zoran Zaev.
Ndonëse miratimi i saj është nënvizuar nga bashkësia ndërkombëtare si një kusht për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO, në referendumin e zhvilluar pak kohë më parë nuk u arrit kuorumi prej 50%. Megjithatë, mbi 90% e votuesve ishin në favor të marrëveshjes me Greqinë.


