Parlamenti britanik nuk arriti të mërkurën të miratojë asnjë nga tetë planet e paraqitura nga kreu i Dhomës së Komunëve, mes të cilëve edhe organizimin e një referendumi të dytë apo anulimin e Brexit-it. Për t’i bindur ligjvënësit ta miratonin marrëveshjen, kryeministrja Theresa May u zotua të japë dorëheqjen nëse Parlamenti miraton marrëveshjen e arritur më herët me Brukselin.
Ligjvënësit britanikë votuan të mërkurën për ta shtyrë daljen e vendit nga Bashkimi Europian deri më 12 prill. Gjatë një seance të gjatë, parlamenti nuk arriti të kalonte asnjë nga tetë planet e paraqitura nga kreu i Dhomës së Komunëve, mes të cilëve edhe organizimi i një referendumi konfirmues apo anulimi i Brexit-it.
Paqartësitë rreth vendimit më të rëndësishëm politik dhe ekonomik të Britanisë që nga epoka e Luftës së Dytë Botërore kanë shqetësuar aleatët dhe investitorët.
Në një përpjekje për t’i bindur ligjvënësit të kalonin marrëveshjen, kryeministrja Theresa May u zotua të japë dorëheqjen nëse Parlamenti miraton marrëveshjen e arritur me Brukselin. May tha se ajo nuk do të qëndrojë në detyrë për fazën e ardhshme të Brexit-it kur do të diskutohet lidhja tregtare me BE-në.
May-i nuk dha një datë të caktuar për dorëheqjen, por kjo lëvizje e saj vjen pasi ligjvënësit kanë marrë kontrollin e procesit të Brexit-it. Deklarata e saj u bë gjatë një takimi të grupit parlamentar të Partisë Konservatore të Britanisë.
Kritikët e zonjës May nuk duan që ajo të qëndrojë në detyrë gjatë fazës së ardhshme të Brexit-it, kur Londra dhe Brukseli do të qartësojnë se çfarë marrëdhënie tregtare do të mbajnë në fuqi, nëse në Parlament kalon marrëveshja ekzistuese.