Gazetari i njohur dhe shkrimtari nga Tirana, Alfred Peza në një prononcim për agjensinë “Zhurnal”, ka folur për aktualitetin politik në Maqedoni.
Sipas tij, Maqedonia dhe Greqia nuk kanë qenë kurrë më pranë gjetjes së një zgjidhje përfundimtare në lidhje me emrin e shtetit maqedon. Ai thotë se Republika e Shqipërisë si anëtare e NATO-s do të mbështet fuqishëm anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euro atlantike.
“Maqedonia dhe Greqia nuk kanë qenë kurrë më pranë gjetjes së një zgjidhje përfundimtare në lidhje me emrin e shtetit maqedon. Besoj se në javët dhe muajt e ardhshëm të këtij viti, do të kemi një vendim përfundimtar. Zgjidhja e kësaj çështje do të çlirojë energji pozitve jo vetëm ndërmjet dy vendeve, por edhe në rajon. Ai është çelesi që mund të hapë derën e çdo çështje tjetër që kanë mbeturt pezull mes Shkupit dhe Athinës. Këtu e ka burimin edhe optimizmi i Zaev kur ka deklaruar se brenda 2018-ës Maqedonia do të anëtarësohet në NATO. Nuk çuditem nëse do të ndodhë. Pas anëtarësimit të Malit të Zi në Aelancën e Atlantikut të Veriut, tani është rradha e Maqedonisë besoj. Shqipëria do ta mbështesë fuqimisht këtë hap”, tha për “Zhurnal”, Alfred Peza, gazetar dhe shkrimtar.
Ai konsideron se Cipras dhe Zaev janë brezi i ri i politikanëve modernë, që po i çlirojnë vendet e tyre nga makthet e brendshme dhe nga fantazmat e së shkuarës në raport me fqinjët në rajon.
“Cipras u ngjit në krye të qeverisë helene, i ardhur nga jashtë gardhit të oborrit të dinastive politike të Athinës, në një nga periudhat më të vështira që fqinji ynë ka kaluar ndoshta që pas diktaturës së kolonelëve, kur kriza financiare gati e fundosi duke rrezikuar të merte me vete edhe BE-në vetë, në formën e një reaksioni zinxhir qe u ndal në momentet e fundit… Pas stabilitetit makroekonomik të vendit dhe rikthimin e besimit tek huadhenësit, Cipras ka ditur që të jetë një “diplomat” modern edhe me fqinjët. Mos harrojmë vizitën historike të Presidentit të Turqisë në Athinë, bisedimet për zgjidhjen e problemeve 70 vjeçare me Shqiperinë dhe tani më Maqedoninë. Ndërsa Zaev, i cili u nënvlersua në Shkup edhe kur hyri në politikë, edhe kur u bë kryetar partie, edhe kur u bë lideri i opozitës, edhe kur publikoi aferën e përgjimeve telefonike të qeverisë së shkuar, madje edhe kur i fitoi zgjedhjet. Ka qenë ndoshta kjo aresyeja se përse e gjakosen pikërisht ditën që ai hyri triumfator në Parlament, për të marrë në dorë frenat e qeverisjes së vendit. Ai është i zgjedhuri i perëndimit, përkundër Nikola Gruevskit që po e çonte vendin drejt autoritarizmit të tipit putinian. Ndaj, besoj se pas zgjidhjes së problemeve të brendshme dhe relaksimit të marrëdhenieve me shqiptarët, zgjidhja e çështjeve me Greqinë, anëtarësimi në NATO dhe marja e datës për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE, e bëjnë Zaevin një lider të duhur, në kohën e duhur dhe që po merr vendimet e duhura. Është e vështirë sot që liderët politikë në Ballkan, por edhe gjetke nëpër botë, të hyjnë në histori e aq më pak të bëhen historia vetë. Sepse historia ka ligjësite e veta. Ende është herët që të shkruhet historia e ish Jugosllavisë dhe e shpërberjes së saj, imagjinoni se sa e parakoheshme është që të shohësh me dylbitë e historisë, liderët që janë sot në detyrë”, thekson Peza në analizën e tij për “Zhurnal”, në lidhje me aktualitetin politik në Maqedoni.
E sigurtë është, shprehet më tej Peza, që si Greqia si Maqedonia duket se po ia dalin që të hedhin një hap të madh pozitiv drejt sfidave të reja që po kalon Europa sot në kontekstin e brendshëm dhe atë global.
Ai konsideron se ndryshimi i emrit të aeroportit dhe autostradës është një sinjal fantastik drejt zgjidhjes së problemeve të së shkuarës nga Maqedonia.
“Nacionalizmi është porti i fundit për ankorimin e anijes politike të horrave. Maqedonia nuk mund të mbetet peng i emrit të një luftëtari të shquar që ka jetuar nja 25-26 shekuj më parë, në një rajon ku të gjithë i pretendojnë heronjtë e të gjithëve. E ardhmja nuk mund të mbetet peng i miteve dhe i legjendave. Le tia lëmë historianeve dhe studiuesve këto punë. Politikanët kanë tjetër mision. Ata duhet të punojnë për ti bërë gjërat e munëdshme të realizueshme. Ndaj nuk kanë pse përdorin hitorinë si justifikim për të bllokuar ardhmërinë e popujve të tyre, duke i sherbyer në këtë mënyrë vetëm jetëgjatësisë së kolltukut të vet”, vlerëson Peza.
Sipas tij, emërtimet janë thjeshtë marrëveshje fjalësh, ndërsa zgjidhja e problemeve të sotme që burojnë prej tyre, janë marrëveshje jetike për ardhmërinë e popujve në Maqedoni, shtetit të tij vetë dhe rajonit.
“Në Europë nuk mund të shkosh duke marrë me vete problemet me fqinjët. Nëse kërkon të bëhesh pjesë e saj, duhet të sillesh si Europian dhe jo si ballkanas. Hapi i vogël i hedhur në “Davos” gjatë takimit Cipras – Zaev, është një hap i madh për të ardhmen europiane të Maqedonisë”, kështu vlerëson për “Zhurnal”, Alfred Peza, gazetar dhe shkrimtar.
Marrë nga: “Zhurnal.mk”