Ish-deputeti i PD-së, Alban Zeneli, i renditur i treti në listën shumemërore të kandidatëve të PD-së në Qarkun e Kukësit, ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ, duke i hapur rrugë hyrjes në Parlament.
Kush është deputeti i ri i PD-s Alban Zeneli:
Gjatë qeverisjes së PD-së, Alban Zeneli ka mbajtur detyrën e zv.drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak dhe këshilltarit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imamit. Gjatë viteve 2013-2017, Zeneli është zgjedhur deputet në Qarkun e Kukësit. Në Kuvend, ish-deputeti i PD-së ka qenë anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, kjo edhe për shkak të formimit të tij. Në CV-në e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Zeneli deklaron se ka kryer arsimin e lartë dhe master në fushën e Sigurisë.
Ndërkohë, në formularin e dekriminalizmit Zeneli pranon se është dënuar dy herë me vendime gjyqësore të shkallës së prerë. Në gusht të vitit 1992, Zeneli është dënuar me 6 muaj heqje lirie për shkak të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor. Zeneli është dënuar me vendim të formës së prerë edhe në vitin 1996 me 30.000 lekë gjobë, për veprën penale të kundërshtimit të punonjësve të Policisë dhe prishje të qetësisë publike.
Çfarë tha në protestën e 5 marsit:
“Edi Rama, Qarkut të Kukësit i solli vetëm mjerim, varfëri dhe emigrim. Mandati nuk është i yni, por i qytetarëve të Kukësit, Tropojës, Hasit, qytetarëve që votuan PD-në”, tha Zeneli në protestë, ndërkohë që paraditen e së hënës dorëzoi formularin e dekriminalizimit për të marrë mandatin e dorëzuar nga ish-deputeti Flamur Noka.
Përgatiti: AlpeNews.al


