Kuvendi i kërkon Gjykatës Kushtetuese riçeljen e shqyrtimit gjyqësor lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, me qëllim kërkimin e një opinioni amicus curia (mendim këshillimor) nga Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias) .
Shqyrtimi gjyqësor për mandatin e Olta Xhaçkës u mbyll më 25 qershor.
Në dokumentin prej 7 faqesh që mban datën 8 korrik shkruhet se është parë e nevojshme mendimi këshillimor nga Komisioni i Venecias, pasi është krijuar një pasiguri juridike.
“Ndodhur në kushtet kur krijohet një pasiguri juridike, se përse grupi prej jo më pak se 1/5 e deputetëve nuk mundet që të vendosë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në kundërshtim me rendin kushtetues në fuqi, Kuvendi është i mendimit që duhet të kërkohet një mendim këshillimor nga ana e Komisionit të Venecias, dhe në lidhje me zbatueshmërinë e këtyre poarashikimeve kushtetuese dhe ligjore që lidhen me të drejtën e 1/5 së deputetëve të Kuvendit për të vendosur në lëvizje Kushtetuesen”, thuhet ndër të tjera në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar kërkesën e 1/5 së deputetëve të Rithemelimit për mandatin e Olta Xhaçkës me argumentin se kjo cështje duhet të shkonte në Kushtetuese përmes një raporti të votuar nga kuvendi.
Me vendimin e saj Gjykata Kushtetuese urdhëroi Kuvendin për shqyrtimin e çështjes Xhacka, por më 11 prill të këtij viti, me 72 vota mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.


