Të paktën 20 persona kanë vdekur nga sulmet izraelite në spitalin Nasser në Gaza, përfshirë 5 punonjës të medias, mjekë dhe punonjës të Mbrojtjes Civile, të cilët nxituan të ndihmonin nga sulmi i parë.
Nga sulmet u vranë fotoreporteri i Reuters Hossam al-Masri, reporteri i NBC Moaz Abu Taha, fotoreporteri i Al Jazeera Mohammed Salama si dhe Mariam Abu Dagga, një gazetare që punonte për disa media, përfshirë Independent Arabic dhe Associated Press. Ndërsa gazetari i pestë, sipas Sky News, është Ahmed Abu Aziz, i cili humbi jetën në spital për shkak të plagëve që kishte pësuar.
Sipas Reuters, kameramani u vra teksa transmetonte drejtpërdrejt pamjet e sulmit të parë. Al Jazeera kërkoi reagimin ndërkombëtar dhe marrjen e masave për mbrojtjen e gazetarëve e civilëve.


