Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka bërë thirrje që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të gjykohet për krime lufte pasi ka prova të mizorive që dyshohet se janë kryer nga forcat e tij në Ukrainë.
BBC shkruan se ka një zemërim ndërkombëtar në rritje për vrasjen e pretenduar të civilëve në Bucha, një qytet pranë kryeqytetit Kiev.
“Ky djalë është brutal,” tha Biden për liderin rus, duke shtuar se ai beson se Putin “është një kriminel lufte”.
Nga ana tjetër, Rusia tha se imazhet e mizorive ishin inskenuar nga Ukraina.
Ndërsa zyrtarët në SHBA kanë thënë se po mbështesin një ekip prokurorësh ndërkombëtarë që të shkojnë në Bucha për të mbledhur prova.
Qeveria ukrainase ka nisur një hetim për krimet e luftës pasi tha se trupat e 410 civilëve ishin gjetur në zonat përreth Kievit. Disa u zbuluan në varre masive, ndërsa të tjerë kishin duart e lidhura dhe mesa duket ishin qëlluar nga një distancë e afërt.


