Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Izraeli ka pranuar një armëpushim 60-ditor në Gaza. Tel Avivi tha po për “kushtet e nevojshme për të finalizuar” një armëpushim dy-mujor, gjatë të cilit do të bëhet një përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.
Trump më pas iu drejtua Hamasit: “Tani duhet ta pranoni armëpushimin, shpresoj për të mirën e Lindjes së Mesme.” Dhe në mediat sociale manjati shtoi: “Ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund konfliktit.”
Presidenti më pas e përshpejtoi ritmin. Nuk është hera e parë që manjati premton marrëveshje brenda afateve që nuk arrin t’i mbajë, megjithatë udhëtimi i kryeministrit izraelit në Amerikë (i treti që kur Trump është rizgjedhur) duket të jetë sinjali i një faze të favorshme, pas konfliktit 12-ditor me Republikën Islamike.
Qëllime të tilla, megjithatë, përplasen me realitetin dramatik në Rripin e Gazës, ku masakrat vazhdojnë dhe ku operacionet ushtarake të ushtrisë izraelite në qytetin e Gazës janë ende në zhvillim: bilanci i viktimave nga bombardimi i një internet-kafeje të hënën ka arritur në 39 të vrarë, mes tyre edhe fotoreporteri Ismail Abu Hatab, dhe dje autoritetet shëndetësore vendase kanë raportuar edhe 112 të vrarë të tjerë nga sulmet ajrore të Izraelit. 170 organizata humanitare po kërkojnë rikthimin e shpërndarjes së ushqimit nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, pas më shumë se 500 vdekjeve përgjatë rrugëve të aksesit drejt qendrave të Fondacionit Humanitar të Gazës.
Media izraelite raporton se Shefi i Shtabit Eyal Zamir ka këshilluar qeverinë kundër zgjerimit të mëtejshëm të operacioneve ushtarake, nga frika se pengjet mund t’i nënshtrohen “torturave gjithnjë e më intensive”. Ky reflektim ndikon gjithashtu në gatishmërinë e Netanyahut për të arritur një marrëveshje me Hamasin, i cili megjithatë nuk do të pranojë asgjë më pak se një fund të plotë të konfliktit.
Trump e ka bërë të qartë në telefon dhe disa herë në bisedat e tij të fundit me kryeministrin izraelit: qëllimi është të synohet një armëpushim i përhershëm dhe të përgatitet plani për të nesërmen. Administrata amerikane po punon për përfshirjen e vendeve arabe në menaxhimin e ardhshëm të Gazës. Netanyahu, pas ofensivës “Rising Lion” kundër vendeve të pasurimit të uraniumit të Republikës Islamike (500 sulme me dronë në tokën iraniane, 86 përqind e raketave balistike iraniane të kapura, 99 përqind e dronëve të Teheranit të rrëzuar, 12,000 imazhe satelitore të analizuara: këto janë rezultatet operative të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes e Shtetit Hebraik), dëshiron të mbërrijë me diçka në dorë në pushimet verore të Knessetit (nga 27 korriku deri më 19 tetor) dhe të përgatitet për zgjedhjet e vitit 2026, duke shmangur kërcënimin ultra-ortodoks për të rrëzuar qeverinë për shkak të ligjit për përjashtim nga shërbimi ushtarak./La Repubblica


