“Qeveria e Berlinit duhet “urgjentisht” të ndalojë furnizimin me armë Izraelit”, ka deklaruar përfaqësuesi i Nikaraguas para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Nikaragua akuzon Gjermaninë se “dështon në parandalimin e gjenocidit” kundër palestinezëve në Rripin e Gazës, pasi ajo po vazhdon “mbështetjen e saj politike, financiare dhe ushtarake” për Izraelin.
Nga ana tjetër qeveria e Nikaraguas po përballet vetë me sanksione për politika represive në vend. Një raport special i Kombeve të Bashkuara në shkurt thoshte se abuzimet e shumta të qeverisë, duke përfshirë burgosjen dhe dëbimin e figurave të opozitës, si dhe klerikëve katolikë romakë, ishin “të barasvlershme me krime kundër njerëzimit”.
Rasti i Nikaraguas është i treti para gjykatës këtë vit që trajton konfliktin izraelito-palestinez.

