Hamasi tha të martën se po shqyrtonte një propozim të ri për armëpushim dhe lirim të pengjeve në Gazë, të paraqitur nga ndërmjetësit pas bisedimeve me Izraelin, në atë që dukej të ishte nisma më serioze e paqes për muaj të tërë.
Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se propozimi përfshinte një armëpushim me tre faza, gjatë të cilës grupi fillimisht do të lironte civilët e mbetur në mesin e pengjeve që i rrëmbeu më 7 tetor, pastaj ushtarët dhe në fund trupat e pengjeve që u vranë.
Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, nuk tregoi se sa do të zgjasin tre fazat ose çfarë parashikohej të pasonte fazën përfundimtare.
Por kjo është hera e parë që publikohen detaje të një propozimi të ri, që po shqyrtohet nga të dyja palët që nga ndërprerja e shkurtër e luftimeve në fund të nëntorit.
Propozimi i armëpushimit pasoi bisedimet në Paris, ku morën pjesë drejtori i CIA-s, William Burns, kryeministri i Katarit, shefi i shërbimit izraelit të zbulimit Mossad dhe kreu i shërbimit egjiptian të zbulimit.
Shefi i Hamasit, Ismail Haniyeh tha se do të shkonte në Kajro për të diskutuar propozimin, udhëtimi i tij të parë publik atje për më shumë se një muaj.
Por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti zotimin e tij për të mos tërhequr trupat nga Rripi i Gazës deri në “fitoren përfundimtare”, që konfirmon hendekun e madh në qëndrimet publike të palëve ndërluftuese rreth asaj se çfarë duhet bërë për të ndalur luftimet qoftë edhe përkohësisht.


