Vrasja e një kalimtari në Kavajë pas përplasjes mes dy bandave ka shkaktuar shumë zemërim. Fotot e tij me qesen e bukës janë shpërndarë qindra herë. Sipas burimeve, ka dyshime se një prej personave të përfshirë ka qenë më parë në Holandë dhe mund të jetë përfshirë në aktivitet të paligjshëm, ndërsa ka dyshime se palët ishin të përfshira në shpërndarje narkotikësh.
Një kalimtar i rastit mbeti i vrarë, ndërsa pesë persona u plagosën, gjatë një përplasje me armë mes dy grupesh të rinjsh në qytetin e Kavajës. Ngjarja ndodhi mesditën e të enjtes në hyrje të qytetit dhe sipas policisë nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Ramazan Haslliu, i cili po kalonte rastësisht ndërsa u plagosën pesë persona të tjerë, disa prej të cilëve po ashtu të papërfshirë në ngjarje.
“Nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, shtetasit Marius Aliu dhe Denis Aliu. Shtetasi Marius Aliu (autori i dyshuar i vrasjes), mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur”, njoftoi policia.