Përpara se Donald Trump të marrë betimin më 20 janar, aleatët dhe kundërshtarët po pyesin se çfarë ka ndërmend dhe çfarë mund të bëjë presidenti që po largohet, Joe Biden, gjatë pak më shumë se dy muajve të administratës së tij që i mbeten. A do të presë thuajse i dorëzuar fundin e mandatit të tij, apo do të luajë kartat e fundit që ka mbetur? Një shenjë e parë, e rëndësishme e vendosmërisë së tij për të përshpejtuar ndihmën për Kievin ka ardhur dje: Shtetet e Bashkuara po përshpejtojnë dërgimin e 500 raketave ‘Patriot’ dhe ‘Nasams’ – që përdoren për mbrojtjen tokë-ajër – në Ukrainë, si përgjigje ndaj intensifikimit të sulmeve ruse me drone dhe raketa, ka njoftuar një zyrtar i lartë i Pentagonit i cituar nga Wall Street Journal.
Dërgesat pritet të mjaftojnë për të plotësuar nevojat e mbrojtjes ajrore të Kievit deri në fund të vitit.
Për nevojën për të ndihmuar Kievin për të arritur një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, ka folur sërish dje dhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, me mision në Kiev: “Duhet të intensifikojmë dhe përshpejtojmë përpjekjet tona për të mbështetur Ukrainën. Urgjenca është thelbësore. Koha matet në jetë njerëzore”, ka shkruar ai në X
Washigtoni synonte fillimisht të dërgonte ndihmat deri në prill, por ky afat është rishikuar pas zgjedhjeve: dërgesa pritet të ndodhë në javët e ardhshme, raporton Gazeta njujorkeze. E cila thekson: Pentagoni mund të përdorë më shumë se 7 miliardë dollarë për të transferuar armë dhe municione në Ukrainë dhe dy miliardë të tjera për të financuar kontrata të paisjeve afatgjata për Kievin.
Përpara se të kalojë stafetën, administrata Biden ka ndërmend të dërgojë gjithashtu “një numër të kufizuar kontraktorësh” në Kiev për të ndihmuar forcat vendase të riparojnë F-16 dhe sisteme të tjera arme të dhëna nga SHBA, zbulon Reuters. Kjo përbën një ndryshim kursi për Uashingtonin, i cili është i vendosur të kanalezojë sa më shumë ndihma ushtarake për aleatin deri në janar, për të forcuar pozitat e negociatave të Zelenskyt.


