Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zyrtarisht është i pandehur për lobimin rus në SHBA në periudhën zgjedhore të vitit 2017. Liderit opozitar së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani, por edhe Ilir Dervishit u është dërguar ditën e djeshme një fletë-thirrje për t’u paraqitur ditën e hënë në prokurorinë e Tiranës ku do u komunikohet edhe zyrtarisht akuza që është ngritur kundër tyre.
Shqiptarja.com ka siguruar shkresën e është firmosur nga prokurorët e çështjes Ervin Karanxha, Gjergji Tako dhe Kole Hysenaj, ku theksohet se nëse Basha së bashku me Ristanin dhe Dervishin nuk paraqiten ditën e hënë në prokurori do të bëhet shoqërimi i detyrueshëm. Vendimi i prokurorisë kryeqytetit vjen pas letër-porosisë nga SHBA. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017. Pak muaj më parë, prokuroria deklarontese njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”.
Por kush është kjo shoqëri? “Biniatta Trade LP” rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”. “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: “Asverro Corp” dhe “Liminez Commerce”. Pronarët e vërtetë që qëndrojnë pas “Biniatta Trade LP” janë Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva, që të dyja shtetase ruse.
Historia e lobimit te PD-se ne SHBA
Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave. Gjithashtu, mbetet e paqartë se cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë “Biniatta Trade LP,” e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë- nje shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale. Përveç dy kontratave të lidhura me “Stonington Strategies,” gjatë të njëjtës periudhë PD ka lidhur edhe një kontratë me kompaninë lobiste “Barnes and Thornburg LLP” në fillim të prillit me vlerë 150 mijë USD.